Ish-lojtari, trajneri dhe menaxheri i përgjithshëm i Real Madridit, Jorge Valdano, ka kërkuar që klubi të nënshkruajë Erling Haaland nga Borussia Dortmund përpara sulmuesit të Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe.
Rritja e Haalandit është e dokumentuar, me norvegjezin që shënoi 37 gola në po aq paraqitje në të gjitha garat që nga debutimi i tij në Dortmund në janar të vitit të kaluar, pasi kishte shkëlqyer më parë në Red Bull Salzburg në Austri.
Mbappe, ndërkohë, ka vazhduar të gjejë rrjetën me rregullsi për PSG-në, por zhvillimi i tij afatgjatë është vënë në pikëpyetje për shkak të lehtësisë relative me të cilën klubi i tij vazhdon të dominojë në Ligue 1.
Vetë fituesi i Kupës së Botës kohëve të fundit pranoi se po i kushtonte vëmendje të ardhmes së tij, me kontratën e tij aktuale në kryeqytetin francez që skadon në fund të sezonit të ardhshëm.
Një lëvizje në Madrid ka kohë që është përfolur për Mbappe, por Valdano mendon se presidenti i Realit, Florentino Perez, duhet t’i japë përparësi Haalandit para francezit.
“Unë do të nënshkruaja Haalandin para Mbappes”, ka thënë fillimisht Valdano për Onda Cero.
“Ai lëviz në hapësira të vogla dhe të mëdha, shënon rregullisht”.
“E kuptoj që Mbappe është një yll, por unë jam shumë i impresionuar me Haaland. Ai shënon gola të të gjitha llojeve”, përfundoi spanjolli. /Telegrafi/