Telegrafi

Jordi Alba në ‘konflikt’ me Barcelonën: Asgjë nuk më befason në futboll

Jordi Alba mbërriti në Barcelonë dhjetë vjet më parë dhe ka fituar gjithçka që është e mundur me të deri më sot me klubin katalunas.

Mirëpo, prej kohësh marrëdhëniet mes tij, klubit dhe tifozëve nuk kanë qenë ideale dhe ato janë acaruar më tej edhe nga ideja e drejtuesve të klubit për ta hequr qafe në minutat e fundit të afatit kalimtar të verës.

Barcelona dyshohet se ka negociuar huazimin e tij te Interi, gjë që ka habitur jo vetëm shumë tifozë futbolli, por edhe vetë lojtarin.

Ai e ka komentuar atë situatë pa e fshehur dëshpërimin.

“Pavarësisht nëse është e drejtë apo jo, bëhet fjalë për situatën. Më pëlqen t’i them të vërtetën tjetrit dhe më pëlqen kur të tjerët më trajtojnë ashtu”.

“Nuk kam çfarë të shtoj, megjithëse do të doja të them më shumë. Në botën e futbollit asgjë më nuk befason”, ka thënë Alba.

Barcelona së fundmi ka fshirë një gol që Alba e ka shënuar në stërvitje, pasi ishte vërshuar nga komentet fyese të tifozëve të cilët e kanë ende inat pasi nuk donte të binte dakord për uljen e pagës./Telegrafi/