Site icon Telegrafi

Jordania shprehet e gatshme të ndihmojë në rindërtimin e Sirisë

Jordania është e gatshme të ndihmojë Sirinë në rindërtim, ka njoftuar ministri i Jashtëm i saj Ayman al-Safadi, në një takim me kreun e ri të Sirisë, Ahmed al-Sharaa.

Ministri i Shtetit për Punët e Jashtme të Katarit, Mohammed Al-Khulaifi gjithashtu ishte pjesë e takimit në Damask.

Bëhet e ditur se diskutimet zgjerojnë më tej kontaktet diplomatike të administratës së re të krijuar pasi grupi Hayat Tahrir al-Sham (HTS) udhëhoqi një ofensivë vendimtare që përmbysi Assadin pas më shumë se 13 vjet lufte.

Fundi i sundimit të Assadit ka përmbysur gjeopolitikën e Lindjes së Mesme, duke i dhënë një goditje të madhe Iranit dhe duke i hapur rrugën shteteve të tjera për të ndërtuar lidhje të reja me një vend në udhëkryqin e rajonit.

Raportohet se Turqia, e cila mbështeti prej kohësh opozitën siriane, ishte shteti i parë që dërgoi ministrin e saj të Jashtëm në Damask, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

“Bisedimet tona ishin të qarta se ne jemi gati të ofrojmë mbështetje”, tha Safadi pas takimit.

“Unë u fokusova në përpjekjet për rindërtim dhe Jordania do të ofrojë ndihmë”, shtoi ai.

Ndryshe, stabiliteti i Sirisë është një shqetësim kyç i sigurisë për Jordaninë, një shtet arab aleat i SHBA-së, i cili kufizohet me vendin në jug.

Safadi tha se ai ra dakord me Sharaa për të bashkëpunuar për të luftuar kontrabandën e drogës dhe armëve nga Siria në Jordani – një problem për vite me radhë nën Assadin.

Safadi gjithashtu vuri në dukje se Shteti Islamik, me të cilin grupi i Sharaa u përlesh më herët në luftën siriane, mbetet një kërcënim.

“Vëllezërit tanë në Siri e kuptojnë gjithashtu se ky është një kërcënim. Me vullnetin e Zotit, ne të gjithë do të bashkëpunojmë, jo vetëm Jordania dhe Siria, por të gjitha vendet arabe dhe komuniteti ndërkombëtar, për të luftuar këtë fatkeqësi që përbën një kërcënim për të gjithë”, përfundoi Safadi. /Telegrafi/

Exit mobile version