Telegrafi

Jordanezët të interesuar për investime

Gjatë vizitës në Kosovë, delegacioni i afaristëve nga Jordania zhvilloi takim me ministrin e tregtisë dhe industrisë, Lutfi Zharkun dhe me afaristë kosovarë të lëmit të bujqësisë. Nënkryetarja e Odës Ekonomike të Kosovës, Zineta Daci, u shpreh se Kosova ka shumë nevojë për investime, sidomos në bujqësi, pasi 2 të tretat e popullatës jetojnë në zonat rurale dhe merren kryesisht me këtë degë të veprimtarisë.

Afaristët kosovarë thanë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Jordania do të ndikojë në lehtësimin e marrëdhënieve ekonomike e tregtare ndërmjet dy vendeve. Kurse përfaqësuesi i delegacionit jordanez, Halil Alhajaj, tha se Kosova ka tokë bujqësore të mjaftueshme, për përmbushjen e kërkesave të tregut.

"Kemi kaluar fazën e takimeve formale dhe nesër e pasnesër do të kemi nënshkrimet e para me kompanitë kosovare. Njëkohësisht i bëj thirrje qeverisë së Kosovës që të lehtësojë çështjet e marrjes në shfrytëzim të tokave bujqësore, qoftë përmes kompensimit, apo edhe privatizimit të tyre, në mënyrë që të fillojmë punën sa më parë", tha Alhajaj.

Alhajaj tha se janë të interesuar të investojnë në bujqësi, në shëndetësi dhe arsim, sidomos në shkollimin e lartë.

Përfaqësuesit e delegacionit shfaqën interesim edhe për fillimin e raporteve tregtare. Ndërkohë, me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit, u paralajmërua edhe një vizitë e afaristëve kosovarë në shtetin e Jordanisë./rtklive/