Site icon Telegrafi

Jones: Ma sillni Kumanovën

Bardhekaltërit sot me fillim nga ora 17:30 do t’ia bëjnë ‘sefte’ palestrës së rinovuar së fundmi, që ka marrë një pamje madhështore, teksa Plisat do të jenë ata që do t’i japin ngjyrat dhe gjallërinë me atmosferën impozante që vetëm ata dinë ta krijojnë.

Sigal Prishtina e pati mposhtur më parë Kumanovën në Maqedoni me rezultat 78-89 dhe pikërisht në ndeshjen debutuese të Ligës Ballkanike dhe sipas plejmejkerit amerikan, Kendrick Jones, skuadra është e gatshme që ta bëjë këtë përsëri.

“Ne jemi të gatshëm, jemi përgatitur shumë mentalisht, si dhe fizikisht. Do të kemi përballë një kundërshtarë të fortë, definitivisht nuk do të jetë njëjtë si në herën e parë kur jemi përballur me ta”, theksoi fillimisht Jones për Telegrafin.

Prishtina këtë vit ka ndërtuar skuadër të fortë, por shumë njerëz mendojnë se ka mangësi nën trapez dhe se ju duhet një qendër e fuqishme për t’iu ndihmuar në këtë aspekt. I pyetur në lidhje me këtë, si dhe për thashethemet se Urim Zenelaj i RTV21, është afër transferimit te Sigal Prishtina, Jones tha se kjo do të ishte e mirëseardhur për të.

“Ne kemi ekip të fortë, ndërsa mua nuk më interesojnë shumë se çfarë flitet jashtë klubit. Unë nuk di për Urimin, por mendoj se do t’i ndihmonte shumë ekipit. Ai do të na jepte më shumë gjatësi dhe fuqi nën kosh. Nëse ai është i lirë, atëherë mendoj se duhet ta marrim në klub nëse mundemi”, është shprehur Jones për Telegrafin.

Sa i përket kualifikimit për play-off në Ligën Ballkanike, organizatori amerikan mendon se Sigal Prishtina do ta arrijë këtë pa problem. “Ne do të shkojmë në play-off. Ne kemi mundësi të madhe për këtë”, përfundoi ai. /Telegrafi/ 

Exit mobile version