Telegrafi

Jolie ka rrëfyer arsyen e tërheqjes nga regjia

(Foto: RCNTV)

Angelina Jolie ka shpjeguar se vitet e fundit i ka kushtuar më shumë kohë aktrimit sesa regjisë për shkak të situatës së saj familjare.

Aktorja dhe regjisorja, e cila do të shfaqet në trillerin e ardhshëm, “Those Who Wish Me Dead”, ka theksuar se me vetëdije mori vendimin për t’u përqendruar ekskluzivisht në punën para kamerave për shkak të familjes së saj.

“Unë e dua regjinë, mirëpo kisha probleme familjare që nuk më lejuan të bëja regji për disa vite. Thjesht duhej të bëja punë më të shkurtra dhe të kaloja më shumë kohë në shtëpi, kështu që u ktheva në aktrim”, kishte deklaruar Jolie për Entertainment Weekly.

(Foto: Indiewire)

Pas roleve në filmat, si “Maleficent” dhe huazimin e zërit për “The One and Only Ivan”, këtë vit ajo po kthehet në ekranin e madh me rolet në “Those Who Wish Me Dead” dhe “Marvel’s Eternals”.

Filmi i saj i parë me metrazh të gjatë si regjisore ishte “In the Land of Blood and Honey”, të cilin e realizoi në vitin 2011 dhe flet për luftën në Bosnjë e Hercegovinë. Pastaj bëri regjinë e “Unbroken” (2014), “By the Sea” (2015) dhe “First They Killed My Father” (2017).

(Foto: Variety)

Angelina dhe Brad Pitt u ndanë në vitin 2016, mirëpo akoma nuk e kanë zgjidhur çështjen e shkurorëzimit. /Telegrafi/