Ministrja e Serbisë për integrime evropiane, Jadranka Joksimoviq, thotë se Serbia nuk do të kushtëzohet me njohje të pavarësisë së Kosovës, për pranim në Bashkimin Evropian (BE).
Duke reaguar në deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se BE-ja do të kërkojë nga Serbia nënshkrimin e dokumentit të obligueshëm juridik për normalizimin e raporteve Beograd – Prishtinë, ministrja Joksimoviq tha sot se kjo nuk do të thotë njohje e pavarësisë së Kosovës dhe se nënshkrimi i dokumentit të obligueshëm juridik është i paraparë me Marrëveshjen e Brukselit, raporton agjencia Beta nga Beogradi.
“Natyrisht se mund të bëhemi anëtare e BE-së pa e pranuar Kosovën”, tha ministrja e Serbisë, Jadranka Joksimoviq, dhe ka shtuar se “esenca e marrëveshjes për normalizim është definimi i kornizave të normalizimit, i cili nuk do të na detyrojë ta pranojmë Kosovën e pavarur, por kjo gjithsesi do të thotë se duhet të bëjmë disa lëshime, por me kusht që Prishtina ta realizoj obligimin e vet themelor, që është Bashkësia e komunave serbe”.
Joksimoviq ka theksuar se pret që deri në fund të vitit në negociatat me Bashkimin Evropian të hapen edhe tre kapituj të tjerë, transmeton Rel.