Telegrafi

Johnson raportohet se ka siguruar mbështetjen e 100 deputetëve konservatorë për garën e Kryeministrit – Rishi Sunak ka po ashtu më shumë se 100 vota

Ish-kryeministri britanik Boris Johnson ka marrë mbështetjen e 100 deputetëve konservatorë, sipas një burimi nga ekipi i kampanjës së Johnsonit, por ekipi nuk i ka publikuar emrat e këtyre mbështetësve dhe është dyfishi i numrit i deputetëve që kanë dalë publikisht në mbështetje të Johnsonit.

Për momentin 186 prej 357 deputetëve konservatorë – rreth gjysma – kanë dalë publikisht me qëndrimet se kë do ta përkrahin për pozitën e Kryeministrit të ardhshëm britanik, transmeton Telegrafi.

Për momentin 114 deputetë kanë dalë publikisht me mbështetjen e tyre për Rishi Sunak, 50 deputetë dolën publikisht për Johnsonin, dhe 22 deputetë i dolën në përkrahje kandidates për kryeministre të Britanisë, Penny Mordaunt.

Penny Mordaunt të premten shpalli zyrtarisht kandidaturën e saj për pozitën e Kryeministrit. Rishi Sunak dhe Boris Johnson ende nuk e kanë shpall zyrtarisht kandidaturën e tyre për të konkurruar.

Nominimet do të mbyllen të hënën dhe kandidatët kanë kohë deri atëherë të gjejnë 100 mbështetës për të vazhduar tutje. /Telegrafi/