Site icon Telegrafi

John Travolta krenohet që tema muzikore e “Pulp Fiction” arrin statusin e trefishtë platin

John Travolta (Foto: Ernesto S. Ruscio/Getty Images for RFF/Guliver)

Aktori i famshëm amerikan, John Travolta, ka arritur suksese të mëdha kur është fjala për filmat me tema muzikore.

Suksesi në “Saturday Night Fever” e kishte bërë atë fenomen botëror në vitin 1977, ndërsa një vit më pas, ai u bë akoma më i famshëm me rolin e tij në mjuziklin “Grease”, krahas Olivia Newton-John.

Ndërsa tash, ylli hollivudian e ka publikuar një fotografi në Instagram, për ta festuar platinin e trefishtë të temës muzikore të filmit “Pulp Fiction” që është shitur në mbi tre milionë njësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fotografinë e publikuar, aktori nga New Jersey ka qëndruar me krenari pranë çmimit ‘3X platinum’, i veshur me të zeza dhe me kokën e rruar.

“Sapo i mora pllakat e mia platin të ‘Pulp Fiction’! Faleminderit të gjithëve”, ka shkruar aktori 65 vjeçar në përshkrim.

Travolta e ka luajtur rolin e gangsterit të varur nga heroina, Vincent Vega, në filmin e zhanrit krim të Quentin Tarantinos, në të cilin kanë luajtur edhe emrat, si Samual L. Jackson, Uma Thurman, Ving Rhames, Bruce Willis, Tim Roth e Amanda Plummer.

Tema muzikore e “Pulp Fiction” përmbante muzikë të përzier të zhanreve, ‘rock-and-roll’, ‘surf’, soul dhe pop. /Telegrafi/

Exit mobile version