Site icon Telegrafi

John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan – kandidati që donin shqiptaro-amerikanët

Partia Republikane fitoi përsëri shumicën në Senatin Amerikan dhe pas një beteje të shkurtër por të ashpër politike mes kolegësh, kurse John Thune u shpall Kryetari i ri i Senatit.

Për shqiptarët ka fituar një politikan të cilin e njohin dhe që do të ketë tani fuqi të madhe në mandatin e tij.

Botuesi i gazetës Illyria, Vehbi Bajrami përshëndet fitoren e Senatorit Thune, kujton takimin në Manhattan ku u bisedua për Kosovën dhe shqiptarët në rajon

“Jam i gëzuar që miku ynë fitoi këtë pozitë. Senatori Thune është një politikan që e kemi mbështetur dhe që e kemi prezantuar me problemet e Kosovës dhe të shqiptarëve në Ballkan”, tha me këtë rast botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami.

Botuesi Bajrami ishte pjesë e një grupi veprimtarësh të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe miq të tyre amerikanë që në muajin qershor të këtij viti u takuan në New York me Senatorin amerikan John Thune dhe i premtuan ndihmën e tyre për planet e tij të ardhshme politike.

Në atë kohë, ende nuk dihej se kush do të fitonte në zgjedhje, dhe Senatori i zgjedhur nga South Dakota synonte vetëm postin e Liderit të Partisë Republikane në Senatin Amerikan, që do të lirohej pas daljes në pension të veteranit të Senatit, Mitch McConnell.

Gjatë këtij takimi mbështetës për Senatorin Thune, u bisedua për gjendjen në Kosovë. Jim Xhema, aktivisti i njohur i diasporës, i cili organizoi këtë takim dhe aktivistë të tjerë kërkuan ndihmën e Senatorit amerikan për Kosovën veçanërisht për anëtarësimin e saj në NATO.

Botuesi  i gazetës shqiptaro-amerikane, “Illyria” i dorëzoi Senatorit një dokument përmbledhës të situatës në Kosovë dhe kërkesat e komunitetit shqiptaro-amerikan për drejtimin në politikën e jashtme amerikane.

Në dokument, përveç përshkrimit të shkurtër të rëndësisë komunitetit shqiptar dhe gjendjes në Kosovë paraqiten disa kërkesa specifike për politikën e jashtme amerikane që do të ishin në inters jo vetëm të Kosovës dhe shqiptarëve në rajon por edhe në shërbim të paqes dhe stabilitetit.

Dokumenti kërkon veç të tjerash që SHBA të përsërisë në mënyrë të qartë se fundi i procesit të normalizimit është njohja e Kosovës nga Serbia. SHBA duhet gjithashtu të punojë që 5 vendet e mbetura të BE-së të njohin Kosovën dhe të ndihmojë në anëtarësimin e përshpejtuar të saj në NATO.

Më tej dokumenti rreshton edhe pikëpamje të komunitetit për një numër çështjesh që kanë të bëjnë me Kosovën, Serbinë dhe rajonin, me nevojën për drejtësi për përdhunimet sistematike të kohës së luftës, për vrasësit e Vëllezërve shqiptaro-amerikanë Bytyçi etj.

Në darkën që u shtrua në restorantin e aktivistit shqiptare Halil Ahmetaj, “Allora”, në Manhattan, Senatori shoqërohej nga bashkëshortja e tij Kimberly dhe këshilltarët kryesorë.

Në fund të bisedës, Senatori Thune falënderoi për takimin dhe premtoi se do të vizitojë në një të ardhme Kosovën, shkruan “Illyria”.


Senatori Amerikan John Thune me aktivistin e shquar shqiptaro-amerikan, Jim Xhema.

Senatori Amerikan John Thune me botuesin e gazetës shqiptaro-amerikane, “Illyria”, Vehbi Bajrami.

Exit mobile version