Marrëdhënia në mes John Stones dhe Pep Guardiola nuk është si më parë, pasi që anglezi nga i preferuari i trajnerit katalanas, këtë vit nuk po luan fare.
Kur nënshkroi për Manchester City në vitin 2016, ai ishte qendër mbrojtësi i dytë më e shtrenjtë në histori, pasi kushtoi 55.6 milionë euro.
Që atëherë, mbrojtësi i Anglisë ka qenë lojtar startues, edhe pse shpesh skuadra pësonte nga gabimet e tij.
“Ai ka këllqe më shumë se të gjithë. Më pëlqen kjo. Unë e dua. Nën presion, njerëzit e kritikojnë, por unë jam i kënaqur që kam e Johnin. Me të gjitha gabimet e tij të mëdha”.
“Unë e dua. Unë i dua djemtë me këtë personalitet … nuk është e lehtë të luash mbrojtës qendror me mua si trajner”, kishte thënë Guardiola për Stones në vitin 2017.
Që atëherë, në pozitën e Stones klubi ka bërë blerje që konkurrojnë për qendërmbrojtësin si: Aymeric Laporte, Eric Garcia, Nathan Ake dhe Ruben Dias.
Pavarësisht nga cilësia përreth tij, Stones ishte një lojtar i fortë sezonin e kaluar dhe ishte kyç në fitoren e titullit të Man City, duke shkuar edhe në finale të Ligës së Kampionëve.
Këto paraqitje e kishin vënë atë në “Ekipin e Vitit të Ligë Premier” për vitin 2021.
Paraqitjet e tij sezonin e kaluar e bëjnë të çuditshëm faktin që ai nuk ka ende asnjë paraqitje në ndeshjet e Man City në kampionat këtë sezon.
Me gjithë këtë ai mbetet lojtar titullar te Anglia, duke luajtur 330 minuta për vendin e tij që nga shtatori.
Stones tani është i lidhur me një largim nga Man City dhe Newcastle shihet si klubi ku mund ta vazhdojë karrierën anglezi. /Telegrafi/