Site icon Telegrafi

Jogurti është i mirë kundër diabetit

Revista profesionale "BMC Medicine" shkruan se konsumi i jogurtit nuk është një shkop magjik dhe vë në dukje se dieta e shëndetshme është e rëndësishme për ta ruajtur masën e rekomanduar të trupit dhe reduktimin e rrezikut nga sëmurja me diabet të tipit 2.

Zbulimet e reja janë mbledhur në një mostër prej rreth 51.000 meshkujve dhe 238.000 femrave, nga të cilët rreth 15.000 u sëmurën nga diabeti i tipit 2.

Hulumtuesit shtojnë se konsumi i produkteve të tjera të qumështit nuk ishte i lidhur me rrezikun e diabetit të tipit 2. Një prej shpjegimeve të mundshme për këto rezultate të fituara ka të bëjë me efektin e probiotikëve nga jogurti, apo ndikimin e tyre në uljen e inflamacionit dhe përmirësimin e funksionit të hormoneve të rëndësishme për ta kontrolluar oreksin.

Diabeti i tipit 2, diabet ky i pavarur nga insulina ose diabeti i të rriturve, është një çrregullim metabolik i karakterizuar me nivele të larta të glukozës në gjak në kontekstin e rezistencës së insulinës dhe mangësisë relative të insulinës.

Simptomat e zakonshme janë etja e tepruar, urinimi i shpeshtë dhe uria konstante, ku obesiteti konsiderohet shkaku kryesor i diabetit të tipit 2 tek njerëzit të cilët janë të predispozuar gjenetikisht për këtë sëmundje, transmeton Koha.net. Diabeti i tipit 2 fillimisht trajtohet me një rritje të ushtrimeve dhe ndryshim të dietës, dhe nëse niveli i glukozës në gjak nuk ulet me këto masa, mund të nevojiten medikamente.

Përndryshe, shkalla e diabetit është rritur në mënyrë të konsiderueshme në 50 vitet e fundit dhe atë së bashku me trashjen, ndërsa sipas të dhënave nga viti 2010, në botë janë rreth 285 milionë njerëz që vuajnë nga ky lloj i diabetit. /Telegrafi/
 

Exit mobile version