Telegrafi

Joestein Gaarder: Romani nuk do të vdesë kurrë

Është një nga autorët më njohur norvegjez. Një nga librat e tij, “Bota e Sofisë”, është përkthyer në mbi 60 gjuhë e shitur në mbi 40 milionë kopje. Por, me kë nga filozofët do të bisedonte Jostein Gaarder po të shkonte në Parajsë? Me tre filozofë që nuk mund t’i ndajë: i pari do të ishte Sokrati, ngase është enigmatik e se për të kemi mësuar nga Platoni; i dyti do të ishte Krishti, që edhe ai nuk e shkroi asnjë rresht; i treti do të ishte Buda i cili po ashtu nuk shkroi asnjë fjalë… Telegrafi sjell intervistë që Gaarder e dha për Javoren Politike Shqiptare – “Zëri”, në vitin 2002. Intervista është zhvilluar në Oslo nga gazetari Skender Latifi.

• “Bota e Sofisë” është një roman mbi historinë e filozofisë. A mund të na sqaroni më tepër si lindi ideja të shkruhet ky roman?

GAARDER: Këtë roman e kam shkruar për norvegjezët dhe nuk është e rastit, sepse këtu në Norvegji kemi traditë të studiojmë filozofinë e cila është praktikuar që nga mesjeta. Para se ta shkruaj këtë roman, jepja filozofinë para studentëve. Dhe pasi pushova, atëherë më lindi ideja ta shkruaj një libër të vërtetë mësimi për filozofinë, sepse njerëzit gjithmonë kanë pyetur ku janë rrënjët e filozofisë? Libri është popullarizuar, sipas mendimit tim, ngase filozofia njerëzve iu intereson dhe romani im ishte i afërt për të gjithë lexuesit e të gjitha moshave. Unë besoj se truri i njeriut është krijuar për të treguar dhe për të dëgjuar tregime të ndryshme e nuk është krijuar për informata digjitale e enciklopedi.

• Ditë më parë në sh5ypin botëror u plasuan informata se budistët janë njerëzit më të kënaqur në botë, në bazën shpirtërore. Ka këtu diç të vërtetë?

GAARDER: Është shumë interesante. Unë mendoj se budizmi është filozofi e çlirimit; Buda ishte më tepër filozof sesa klerik.

• Cilët nga filozofët janë më të dashur për ju?

GAARDER: Shumë vështirë është të përgjigjem në këtë pyetje, por do të provoj. Në Milano të Italisë ma bënë këtë pyetje para disa kohësh, bile kështu ishte pyetja: “Paramendoni veten se keni vdekur dhe shkoni në Parajasë. Me cilin prej filozofëve do të kishit biseduar?” Unë së pari do të kisha biseduar me tre filozofë, ngase nuk mund t’i ndaj: i pari do të ishte Sokrati, sepse ai është enigmatik, ngase për të kemi mësuar nga Platoni; i dyti do të ishte Krishti, që edhe ai nuk shkroi asnjë rresht; dhe i treti do të ishte Buda i cili po ashtu nuk shkroi asnjë fjalë… Unë mendoj se historia e filozofisë është histori e njerëzimit dhe e humanizmit. Historia e filozofisë perëndimore është e lidhur me filozofinë e krishterë, por këtu dominon humanizmi. Po ta pyesësh dikën këtu në Perëndim, “a besoni në Zot?”, do ta merrni përgjigjen: “Unë jam humanist!”

• Filozofët shpesh janë akuzuar se kanë ndihmuar ardhjen në pushtet të diktatorëve të ndryshëm, si p. sh. Hitleri, Milosheviqi etj.?

GAARDER: Disa filozofë gjermanë me të vërtetë e kanë pëlqyer Hitlerin, por edhe e kanë ndihmuar. Mirëpo, numri i filozofëve të cilët nuk i kanë pëlqyer diktaturat është më i madh. Nuk besoj se Bin Ladeni ka lexuar shumë filozofi, apo liderët aktualë botërorë! Kemi një shembull më të freskët: Karaxhiqi në Bosnjë ishte psikiatër dhe pamë se çka u praktikua nga dija e tij, pikërisht ndaj boshnjakëve! Ne këtu në këtë pjesë të Evropës dhe unë personalisht nuk mund ta kuptojmë një veprim të tillë!

• Çka paraqet komunizmi për ju, shikuar nga koha e sotme?

GAARDER: Varet se çka nënkuptojmë me komunizëm! Për atë çka e kemi parë, ajo ishte një praktikë e tmerrshme e cila përfundoi si është më keq.

• Kohët e fundit në botë flitet e shkruhet për “rrezikun islam” që po i kanoset botës. Çka mendoni për këtë?

GAARDER: Islami është krejtësisht tjetër nga ajo se si interpretohet ai. Gjërat nuk duhet të gjeneralizohen. Sot shumë flitet për fundamentalizmin, por edhe atë çka bëjnë Netanjahu dhe Sharoni është fundamentalizëm hebraik dhe mund të konkludojmë se secila fe ka fundamentalizmin e vet. Nga secili terrorizëm duhet të mbrohemi, por duhet të pyesim se pse ndodhi 11 shtatori! Pse ata terroristë janë aq të hidhëruar në neve! P.sh., nëse në dhomë janë duke lozur një fëmijë i vogël me macen dhe papritmas aty hidhet një top, fëmija do të shikojë në drejtimin nga ka ardhur topi, ndërsa macja do të fillojë të luajë menjëherë me topin! Pra, edhe te rasti i palestinezëve njerëzit duhet të pyesin dhe të interesohen pse kjo ndodh tek ata. Unë jam i bindur se populli palestinez është i tradhtuar në një mënyrë nga bashkësia ndërkombëtare, por këtë çka e bëjnë palestinezët, kur vajza e re e mbështjellë me eksploziv hedhet në ajër bashkë me izraelitët që janë cak i vrasjes, kjo është jonormale. Megjithatë duhet të pyesim se pse ajo e bën një gjë të këtillë? Çka e shtyn atë të veprojë ashtu? Çështja dallon në një rast tjetër. Pikërisht tragjedia boshnjake, kur kemi parë se çka kanë bërë në Bosnjë Karaxhiqi dhe Mlladiqi, atëherë ata duhet dënuar pa dilemë.

• Kur i shohim të gjitha këto tragjedi njerëzore, sa mund t’i parandalojë letërsia këto tragjedi? Sa mund të ndikojnë shkrimtarët pozitivisht në pengimin e dhunës?

GAARDER: Unë ju besoj shkrimtarëve dhe shkrimeve. Shkrimtarët mund të pengojnë tragjeditë me shkrimet e tyre, por edhe leximi ndihmon në tejkalimin e situatave të vështira. P.sh. Mahatma Gandhi një kohë të gjatë kishte lexuar “Ungjillin” dhe kjo ishte një ndihmesë jo vetëm për të, por edhe për popullin e tij.

• Ku qëndron atëherë përgjegjësia e shkrimtarëve evropianë, dhe e politikanëve të këtij kontinenti pasi tragjeditë sa kanë pushuar?

GAARDER: Vetë termi të jesh evropian paraqet një gjë të re, ngase para disa vjetëve njerëzit ishin britanikë, francezë dhe kohëve të fundit njerëzit ngadalë paraqiten si evropianë. Mund të themi që përgjegjësia e Evropës ndaj pjesës tjetër të botës është e madhe, sidomos ndaj Amerikës e cila po tenton të vendosë hegjemoninë e saj në botë! Në anën tjetër, kemi shembullin e ish-Jugosllavisë e cila nga perspektiva norvegjeze është parë si shtet i shumë kombeve dhe në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, mu në mes të Evropës ndodhën konfliktet të cilat më parë nuk mund të paramendoheshin. Por, besoj se integrimi i shteteve evropiane do të ndihmojë në tejkalimin e mosmarrëveshjeve dhe tragjeditë të mos ndodhin. Përgjegjësia e Evropës ishte e madhe ngase ajo tentonte që në Jugosllavi të ruhej staus quo, e ajo nuk u përgjigjej të gjithë popujve që jetonin në atë shtet.

• Cili është libri juaj më i dashur që e keni shkruar?

GAARDER: Është vështirë të përgjigjem në këtë pyetje, por do të provoj. Libri më i dashur për mua është “Misteri i pasionit”, i cili do të botohet në vjeshtë të këtij viti. Ky libër ka të bëjë me rininë dhe ka qenë koha të shkruaj për të rinjtë…

• Ka zëra që paralajmërojnë fundin e romanit si gjini letrare. Çfarë mendoni për këtë?

GAARDER: Unë nuk pajtohem fare me këtë mendim ngase derisa të ekzistojë njerëzimi do të shkruhen romane, meqë romani nuk mund të ndërrohet as me televizion, as me internet etj.

• E dini se romani juaj “Bota e Sofisë” flet shqip? Ai është botuar nga “Rilindja” në vitin 2000?

GAARDER: Unë kurrë nuk e pashë botimin në gjuhën shqipe… Kjo më habit…

• Urdhëroni një ekzemplarë, shikojeni…?

GAARDER: E shoh se gjuha juaj dallon nga ajo e fqinjëve sllavë.

• …Dhe, në fund, diçka për fëmijërinë tuaj?

GAARDER: Prindërit e mi kanë qenë punëtorë arsimi, kështu që shtëpia ime ka qenë e mbushur përplot me libra. Por, ishte një libër që më ka interesuar më së shumti e ajo quhej “ABC-ja e jetës seksuale”! Në shtëpinë time kishte atmosferë tolerance dhe mu ajo më ka shtyrë që të merrem me shkrime. /Telegrafi/