Një prej basketbollistëve më të mirë të ditës së sotme, Joel Embiid, ka humbur plotësisht kontrollin gjatë natës së mbrëmshme dhe gjithçka kulmoi kur nisi një përballje me gjyqtarin.
Philadelphia 76ers fituan ndaj San Antonio Spurs me rezultat 111:106, por dueli ishte më i vështirë se sa pritej për mikpritësit e favorizuar.
Skuadra vendase ishte pa shërbimet e yllit të saj më të madh Joel Embiid gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes, i cili u përjashtua pas 14 minutash lojë.
Plotësisht i justifikuar përjashtimi i tij, pasi Embiid filloi një përballje me gjyqtarët e ndeshjes.
Ishte duke u luajtur çereku i dytë i duelit kur pas një vendimi të gjyqtares Jenna Schoreder, Embiid u çmend plotësisht.
Fillimisht ai shkoi për të kundërshtuar dhe dukej se do të qëndronte me të, por më pas erdhi një moment çmendurie nga ylli i madh.
MVP i vitit të kaluar i ligës dhe një nga koshashënuesit më të mirë filloi një përplasje fizike me gjyqtarin, pas së cilës i gjithë ekipi u përpoq ta ndalonte dhe në fund mezi ia doli.
Në një sulm të tërbuar, Embiid hodhi edhe maskën mbrojtëse nga fytyra. Embiid u përjashtua, njësoj si ajo që ndodhi me Andre Drummond më herët. /Telegrafi/