Portieri anglez, Joe Hart, i është bashkuar Tottenham Hotspurit si lojtar i lirë. Ish-portieri i Manchester Cityt ka nënshkruar me klubin e ri deri në vitin 2022.
“Me kënaqësi ju njoftojmë për nënshkrimin e kontratës me Joe Hart deri në vitin 2022”, thuhet në njoftimin e klubit.
33-vjeçari së fundmi ishte pjesë e Burnleyt, nga ku u largua pas përfundimit të kontratës më 30 qershor.
Hart ishte portieri kryesor i Anglisë në Kampionatin Botëror të vitit 2014. Mirëpo, pas angazhimit të Pep Guardiolas te City (në vitin 2016), karriera e tij pësoi rënie.
Më pas, portieri u huazua në klube të ndryshme, si Torino e West Ham United, para se të transferohej te Burnley në vitin 2018. Ai do të angazhohet si portier i dytë te Tottenhami pas Hugo Llorisit. /Telegrafi/