Joe Cole i ka bërë thirrje Chelseat që të shesë së paku dhjetë lojtarë këtë verë.
Blutë u eliminuan nga Liga e Kampionëve nga Real Madridi të martën e kësaj jave me rezultat të përgjithshëm 4-0 dhe sërish tregua paaftësinë e tyre si ekip.
Ata gjithashtu kanë zbritur në vendin e 11-të në tabelën e Ligës Premier, 17 pikë larg katër vendeve të para.
Kjo pavarësisht se shpenzuan 650 milionë euro gjatë dy afateve të fundit të transferimeve, duke e mbushur skuadrën e tyre me më shumë se 30 lojtarë që nga ardhja e pronarit të ri Todd Boehly.
Trajnerët Thomas Tuchel dhe Graham Potter janë shkarkuar gjithashtu këtë sezon, me Frank Lampard të vendosur në detyrë të përkohshme deri në fund të sezonit.
Dhe Cole, i cili fitoi tre tituj të Ligës Premier me Chelsean, mendon se zvogëlimi i madhësisë së skuadrës duhet të jetë një prioritet këtë verë.
Kur u pyet në BT Sport nëse mungesa e futbollit evropian mund të jetë një plus për blutë sezonin e ardhshëm, ai tha: “Kjo e ndihmoi skuadrën e Antonio Contes. Chelsea përfundoi në vendin e 10-të dhe më pas fitoi ligën pasi Conte u angazhua si trajner”.
“Nuk po them se mendoj se Chelsea do ta fitojë ligën sezonin e ardhshëm – ka shumë skuadra të forta – por pa dyshim se do ta ndihmojë skuadrën”.
“Por, do të ndihmojë vetëm nëse Chelsea largon të paktën 10 lojtarë. Mendoj se të paktën 10 lojtarë duhet të hiqen nga skuadra”, ka deklaruar ai.
Chelsea me gjasë nuk do të jetë në asnjërën prej garave evropiane dhe kështu do t’i duhet një revolucion i thellë, gjersa ende nuk kanë gjetur as trajnerin e përhershëm. /Telegrafi/