Site icon Telegrafi

Joe Biden tregon arsyen pse hoqi dorë nga rikandidimi për postin e presidentit të SHBA-ve

Presidenti i SHBA, Joe Biden, ka treguar arsyen se pse ka hequr dorë nga oferta e tij për rizgjedhje sepse kishte frikë se beteja brendapartiake për kandidaturën e tij do të ishte një “shpërqendrim i vërtetë” për demokratët, dhe se prioriteti i tij më i lartë ishte të mposhtte Donald Trump në nëntor.

Në intervistën e tij të parë që nga largimi nga gara, Biden, 81 vjeç, tha se nuk kishte “asnjë problem serioz” me shëndetin e tij, transmeton Telegrafi.

Ai tha se performanca e tij e dobët në debat ishte si rezultat i sëmundjes në atë kohë, dhe hoqi shqetësimet për moshën dhe mprehtësinë mendore të tij.

Presidenti amerikan u zotua të bëjë fushatë për Kamala Harris, duke thënë se ai do të bënte gjithçka që zëvendëspresidentja e tij “mendon se mund të bëj për të ndihmuar sa më shumë”.

“Ne duhet, duhet të mposhtim Trump”, i tha ai transmetuesit amerikan CBS Neës.

Biden tha se nëse ai do të kishte vazhduar fushatën e tij, gara presidenciale do të kishte shkuar “në tela”.

“Një numër i kolegëve të mi demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatit menduan se unë do t’i lëndoja ata në gara”, tha ai.

“Dhe unë isha i shqetësuar nëse do të qëndroja në garë, kjo do të ishte tema. Ju do të më intervistonit, pse tha Nancy Pelosi, pse e bëri këtë – dhe mendova se do të ishte një shpërqendrim i vërtetë”, shtoi ai.

Presidenti tha se synonte të ishte një urë lidhëse për gjeneratën e ardhshme kur ai kandidoi për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020.

“Kur kandidova herën e parë, mendova se jam president i tranzicionit. Nuk mund të them as sa vjeç jam. Është e vështirë për mua ta heq nga goja”, shtoi Biden. /Telegrafi/

Exit mobile version