Telegrafi

Joe Biden thotë se ka ‘kancer’ – presidenti amerikan bën gafë gjatë fjalimit për ndryshimet klimatike

Joe Biden u duk se bëri pretendim të çuditshëm se ka ‘kancer’ ndërsa mbajti një fjalim mbi ndryshimet klimatike të mërkurën.

Presidenti amerikan po fliste para një ish-termocentrali me qymyr në Somerset, Massachusetts, kur u duk se tha se “ka” kancer.

“Duhet të keni fshirëset e xhamit për të hequr fjalë për fjalë njolla vaji nga dritarja. Kjo është arsyeja pse unë – dhe shumë njerëz të tjerë me të cilët jam rritur – kemi kancer”, pohoi ai.

Zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë nuk e ka sqaruar publikisht deklaratën e së mërkurës, por Biden më parë kishte hequr kancerin e lëkurës jo melanoma përpara se të bëhej president.

Një raport shëndetësor i Shtëpisë së Bardhë thotë se “Është e vërtetuar se Presidenti Biden kaloi shumë kohë në diell në rininë e tij. Ai ka hequr disa kancere të lëkurës të lokalizuara, jo melanoma me operacionin Mohs përpara se të fillonte presidencën e tij. Ekzaminimi total i lëkurës së trupit u krye nën mbikëqyrjen e dermatologëve. Disa zona të vogla të ndryshimeve aktinike u trajtuan me krioterapi me azot të lëngshëm, por nuk ka zona të dyshimta për kancer të lëkurës në këtë moment. Nuk kërkohet biopsi”.

Në fjalimin e zotit Biden të mërkurën, ai fajësoi republikanët për ngecjen e agjendës së tij të gjelbër. “Asnjë republikan i vetëm në Kongres nuk u ngrit për të mbështetur planin tim të klimës, as edhe një”, pohoi ai. /Telegrafi/