Telegrafi

Joe Biden përlotet teksa flet për djalin e tij të ndjerë – Beau Biden kishte punuar edhe në Kosovë

Joe Biden sapo ka mbajtur një fjalim në një ngjarje në selinë e Gardës Kombëtare të Delawares para se të nisej për në Uashington, ku do ta bëjë betimin si president i SHBA-së.

Në fjalim, ai tha se do të ishte “gjithmonë një bir krenar” i shtetit, raporton cnn. Ai përshkroi SHBA-të dhe Delawaren si “një vend shprese, drite dhe mundësi të pakufishme” gjersa më tutje shtoi se “Delaware gjithmonë do të jetë në zemrën time”, transmeton Telegrafi.

Presidenti i zgjedhur u emocionua dhe u përlot ndërsa i bëri homazhe, djalit të tij, Beau Biden, i cili vdiq nga kanceri në vitin 2015, në moshën 46 vjeçare.

“Jam edhe më krenar që qëndroj këtu duke e bërë këtë nga objekti Major Beau Biden. Unë ndjej vetëm një keqardhje: që ai nuk është këtu, sepse ne duhet ta prezantojmë atë si president”, vazhdoi ai.

Ndryshe, pas çlirimit nga Serbia (1999), Biden punoi në zyrën e OSBE-së në Kosovë teksa ka trajnuar gjykatës dhe prokurorë për sistemin gjyqësor lokal. Një rrugë nacionale në vendin tonë ka marr emrin e Beau Bidenit gjersa e gjithë familja e tij kishte marrë pjesë në përurimin e saj. /Telegrafi/