Site icon Telegrafi

Joao Lucas Reis bëhet tenisti i parë aktiv që pranon publikisht se është homoseksual

Tenisti brazilian, 24-vjeçari Joao Lucas Reis hyri në historinë e sportit të bardhë si lojtari i parë profesionist që doli publikisht dhe pranoi se është homoseksual.

Lojtari i 401-të në listën e ATP-së e ka ndarë këtë lajm në rrjetet e tij sociale duke postuar një foto me të dashurin e tij, aktorin dhe modelin Gui Sampaio Ricardo.

“Gëzuar ditëlindjen. Jetë të lumtur. Të dua shumë”, ka shkruar Reis, i cili gjatë karrierës së tij renditjen më të mirë e pati si lojtari i 259-të në botë.

Procopio Cup do të jetë turneu i parë që do të luajë si një tenist që ka pranuar publikisht se është homoseksual dhe fituesi do të marrë një “wild card” për kualifikimin në ATP 500 në Rio.

Meqë ra fjala, homoseksualiteti ka qenë prej kohësh një temë tabu në tenisin e meshkujve, ndërsa Martina Navratilova dhe Billie Jean King ishin pioniere në tenisin e femrave.

Tenisti Brian Vahaly pranoi se është homoseksual në vitin 2017, por këtë e bëri vetëm 10 vjet pasi përfundoi karrierën e tij si lojtar.

Duke folur për përvojën e tij, ai ka treguar se gjatë karrierës së tij shpesh ka qenë i ekspozuar ndaj homofobisë, e cila ishte pjesë e kulturës së tenisit të asaj kohe. /Telegrafi/

Exit mobile version