Joao Felix ka kompletuar huazimin te Barcelona nga Atletico Madrid.
Sulmuesi portugez do të qëndroj për një edicion te klubi katalunas, por Barça nuk e ka të drejtën e blerjes së tij.
Megjithatë ai është prezantuar sot te Barcelona, teksa shihej mjaftë i lumtur që më në fund ëndrra e tij u bë realitet për t’iu bashkuar katalunasve.
I shoqëruar nga presidenti Joan Laporta, sulmuesi ishte shumë i emocionuar për bashkimin me klubin e Barçës dhe theksoi se qëllimi i tij kryesor është fitimi i Ligës së Kampionëve.
“Të gjithë e dinë se sa i lumtur jam. Unë kam punuar për të qenë në këtë klub. Është një ëndërr e fëmijërisë, kam ardhur këtu për të ndihmuar dhe shpresoj se do të jetë një sezon i mrekullueshëm”.
“Është diçka unike, është diçka që e kam kërkuar për një kohë të gjatë. Kur më treguan për interesimin e Barcelonës, u gëzova shumë”.
“Kam parë Barçën që kur isha fëmijë dhe gjithmonë kemi qenë tifozë të kësaj skuadre, e kishim atë ëndërr dhe ja ku jam. Luftoj gjithmonë për të fituar trofe”.
“Liga e Kampionëve ka qenë gjithmonë trofeu i ëndrrave të mia, por ne po ecim pak nga pak. Do të përpiqemi ta fitojmë atë”, deklaroi Joao Felix. /Telegrafi/