Telegrafi

Joao Felix shprehet i lumtur për paraqitjet e tij tek Barcelona

Barcelona po e sheh versionin më të mirë të Joao Felix deri më tani këtë sezon pasi ai u transferua në kampin blaugran si huazim nga Atletico Madrid.

Felix u detyrua të priste deri në orët e fundit të afatit kalimtar të verës për të përfunduar kalimin e tij në Kataloni për sezonin 2023/24.

Reprezentuesi portugez zemëroi një pjesë të tifozëve të Atleticos, pasi pranoi se ishte ëndrra e tij të luante për Barcelonën në një të ardhme të afërt.

Felix e zgjati kontratën e tij me Atleticon përpara se t’i bashkohej Barcelonës në formë huazimi, me klubin që kërkon të mbajë në pronësi kartonin e tij, pasi Diego Simeone mbetet i hapur për ta pasur pjesë të ekipit.

 

Barcelona ka qenë mjaft e qartë në synimin e saj për të negociuar një marrëveshje të përhershme për Felix verën e ardhshme pas startit të tij të jashtëzakonshëm nën urdhrat e Xavit.

Felix ka shënuar tre gola dhe ka bërë dy asistime te Barcelona deri më tani dhe është shprehur shumë i lumtur për rolin e tij të ri.

Lexo po ashtu Planet e Barcelonës për vitin 2024 përfshijnë tre lojtarë

“Siç mund ta shihni, jam i lumtur këtu ku jam. Ndihem mirë, i sigurt dhe ndjej se po përjetoj një moment të mirë”, ka thënë Felix në një intervistë për Diario AS./Telegrafi/