Në rast që nuk ka zgjedhje deri në vitin 2018, ashtu siç po deklarohet edhe kryeministri Isa Mustafa, atëherë sipas sociologut Fadil Maloku ka kohë të mjaftueshme të reformohet ligji zgjedhor .
“Ligji zgjedhor është një katastrofë në veti i cili po prodhon situata të pakëndshme për të gjithë dhe zgjedhjet e parakohshme nuk duhet të mbahen pa u bërë kjo reformë”, ka deklaruar ai në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel.
Maloku ka folur edhe për krizën politike dhe koalicionin e arritur së fundi mes partive në opozitë.
“Koalicionet në Kosovë janë koalicione të panatyrshme, njëjtë siç është koalicioni qeverisës ashtu edhe ai i opozitës. Subjektet nuk bashkohen me vullnetin e tyre apo me programin e tyre, por bashkohen sepse ashtu e kërkon agjenda e Brukselit”, ka thënë ai.
Ai thotë se opozita është e hendikepuar me kompleksin e inferioritetit për shkak se ato janë të fragmentarizuara, nuk kanë programe të përbashkëta, pra i ka bashkuar koalicioni i elefantëve dhe kjo e ka prodhuar një situatë që nga jashtë ka lënë të kuptohet se opozita është e bashkuar, pro që nga fillimi ka qenë i panatyrshëm. /Tribuna/