Site icon Telegrafi

Jo vetëm rrogën e 13-të, emisioni “Radar” ia pagoi dëgjuesit edhe pushimet verore

Edita Doli (Foto: RTV Dukagjini/YouTube)

Emisioni “Radar” në RTV Dukagjini ka sjellë një tjetër moment emocionues për dëgjuesit e tij besnikë. Sot, një dëgjues i njohur në radio me nofkën Daja Bekë u befasua nga prezantuesja e emisionit, Edita Doli, duke marrë atë që ata po e quajnë “rroga e 13-të”.

Ngjarja filloi si çdo ditë tjetër kur Daja Bekë telefonoi në studio për të diskutuar mbi temën e ditës. Në bisedën e tij me prezantuesen Edita Doli, ai zbuloi se kishte edhe një arsye tjetër për të festuar, pasi sot ishte ditëlindja e tij. Kjo zbulim u pasua menjëherë me urime të shumta nga studioja.

Në një moment të papritur, Edita e pyeti Daja Bekën për pagën e tij mujore. “Sa e ke rrogën, Daja Bekë?” e pyeti ajo. “Me të tregu drejt, 550 euro”, iu përgjigj ai. Në atë çast, Edita mori vendimin të papritur duke deklaruar: “Ok, sot vjen te ne dhe i merr edhe 550 euro”.

Por surprizat nuk përfunduan këtu. Moderatorja Edita Doli vazhdoi të bisedonte me Daja Bekën dhe e pyeti nëse kishte planifikuar ndonjë pushim. Kur ai konfirmoi planin e tij për pushime, Edita u përgjigj me një tjetër lajm të mirë: “Edhe pushimin po ta paguajmë.”

Daja Bekë, i cili është një dëgjues i rregullt i emisionit, do të kujtojë gjatë këtë ditëlindje të veçantë, falë surprizës së mrekullueshme nga ekipi i emisionit “Radar”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version