Banorët e Grenlandës i zhvendosën orët e tyre një orë përpara për herë të fundit këtë fundjavë, pasi do të mbajnë orën verore gjatë gjithë vitit.
Parlamenti i Grenlandës, Inatsisartut, votoi për ta bërë këtë më 24 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa tani me kthimin e orës nuk do ta ndryshojnë më, transmeton Telegrafi.
Ndryshe nga pjesa më e madhe e Evropës, në Grenlandë orët nuk do të lëvizin kur është koha për dimër. Zyrtarët atje deklarojnë se banorët e Grenlandës do të kenë kështu një orë më shumë dritë pasdite.
“Ndryshimi i zonës kohore shënon një fillim të ri emocionues, një lidhje të barabartë me Amerikën e Veriut dhe Evropën dhe një mundësi për të ngadalësuar në një botë me ritme të shpejta”, tha në një deklaratë Zyra e Turizmit e qeverisë.
Gjeografikisht, Grenlanda me popullsi të vogël i përket kontinentit të Amerikës së Veriut, por gjeopolitikisht Evropës.
Grenlanda është një territor autonom vetëqeverisës nën sovranitetin e Mbretërisë së Danimarkës, dhe pjesa më jugore e saj është më shumë se 3200 kilometra larg Kopenhagës. /Telegrafi/