Site icon Telegrafi

Jo rroga 5,000 euro për sportistë të huaj – nga paratë publike!

Në një postim të fundit, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës deklaroi se e ardhmja e këtij sporti në vend është e ndritshme. Megjithatë, realiteti duket ndryshe. Postimi arriti të gjenerojë 19 komente, të gjitha negative, dhe unë isha i fundit që reagova duke ngritur shqetësime mbi menaxhimin e fondeve publike.

Në vitin 2024, basketbolli ka marrë mbi gjashtë milionë euro nga fondet publike, përmes ligjit për sponsorizim. Unë nuk e di si janë përdorur këto fonde, por në basketboll shohim kryesisht lojtarë të huaj dhe rënie të cilësisë së përfaqësueses së Kosovës. Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar rënie në rezultate – nga dy fitore kundër Zvicrës më 2023 në dy humbje ndaj të njëjtit kundërshtar më 2024 dhe 2025.

Në anën tjetër, futbolli është përfituesi më i madh i këtyre fondeve, me mbi tetë milionë euro të marra përmes të njëjtit ligj. Megjithatë përfaqësuesja e futbollit ka pasur sukses më të mirë, duke integruar lojtarë të rinj nga Kosova dhe lansimin e lojtarëve vendas në ligat numër një në Evropë, si Zhegrova dhe Rashica. Mirëpo, fatkeqësisht, mbi 10 për qind të fondeve janë të përqendruara në një ekip të vetëm, i cili nuk ka klub të vajzave.

Problemet kryesore me shfrytëzimin e fondeve publike

Si një nga mbështetësit e hershëm të ligjit për sponsorizim, e kam parë këtë mekanizëm si një mundësi për zhvillimin e sportit vendor. Gjatë bashkëpunimit me Driton Kukën, për mbështetjen e kampioneve si Majlinda dhe Nora, kam qenë i bindur se ky ligj do të krijonte kushte më të mira për sportistët kosovarë. Megjithatë, eksperienca ka treguar të kundërtën.

Në vend që të shërbejë për zhvillimin e sportit, një pjesë e madhe e fondeve janë keqpërdorur për përfitime të shpejta dhe, disa thonë, për shmangie tatimore. Në shumë raste, këto fonde nuk kanë sjellë ndonjë përmirësim të dukshëm në nivelin e sportit kosovar. Kosova mbetet me një sport të zhvilluar, me ,xhudon që merr diku 2-3 për qind të këtyre fondeve.

Roli i lojtarëve të huaj dhe ndikimi në sportin vendor

Për mua, problem serioz mbetet shfrytëzimi i fondeve publike për të paguar lojtarë të huaj me paga deri në 5,000 euro plus në muaj. Këto shifra tejkalojnë shumëfish të ardhurat e kampionëve olimpikë të Kosovës.

Për më tepër, nuk ka ndarje të qartë se sa nga këto fonde shkojnë për sportin e meshkujve dhe sa për sportin e femrave. Në një vend ku të gjitha medaljet olimpike janë fituar nga vajzat dhe ku personi më i suksesshëm në basketboll është një vajzë (Estera Tuhina), është e padrejtë që financimi të mos jetë më i balancuar.

Modelet ndërkombëtare si shembull për Kosovën

Shtetet e si Islanda, Norvegjia dhe Kroacia kanë ndërtuar modele të suksesshme sportive. Islanda, me vetëm 400 mijë banorë, ka mundur ekipe si Turqia, në basketboll, dhe ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në futboll. Përpara se të ndërmerrte reformat, Islanda kishte nivelin më të lartë të të rinjve të intoksikuar në Evropë. Përmes një strategjie të bazuar në edukim, ndërtim infrastrukturor dhe zhvillim të talenteve vendore, ajo transformoi sportin dhe shëndetin e rinisë së saj.

Kosova duhet të mësojë nga këto modele dhe të orientojë fondet në zhvillimin e sportistëve vendorë, në vend që të financojë një treg të lojtarëve të huaj që nuk kontribuojnë në ndërtimin e një baze të qëndrueshme të talenteve.

Propozime për ndryshimin e ligjit për sponsorizim

Për të siguruar që fondet publike të përdoren në mënyrë efektive, propozoj që ligji të ndryshohet si më poshtë:

– Kufizimi i përdorimit të fondeve për lojtarët e huaj: Asnjë ekip që ka më shumë se 10 për qind lojtarë të huaj nuk duhet të ketë të drejtë të përfitojë nga ky ligj.

– Përmirësimi i barazisë gjinore në financim: Çdo ekip duhet të ndajë të paktën 30 për qind të fondeve të përgjithshme dhe 50 për qind të fondeve të përfituara nga ligji për ekipet e vajzave.

– Transparencë dhe raportim i detajuar: Të gjitha fondet publike të ndara për sport, duhet të jenë të monitoruara dhe publiku ka të drejtë të dijë se si shpenzohen. Përfituesit duhet të bëjnë raporte publike për shpenzimin e tyre.

– Fokusimi në zhvillimin e sportit vendor: Prioriteti i financimeve duhet të jetë edukimi dhe zhvillimi i talenteve kosovare përmes investimeve në programe të mbështetjes së sportistëve të rinj.

– Kufizimi i pagave të financuara nga sponsorizimi: Duhet të vendoset një tavan për pagat që financohen nga fondet publike për të parandaluar keqpërdorimin dhe për të siguruar shpërndarje më të drejtë të resurseve.

Përfundim

Sporti është një mjet i fuqishëm për të ndërtuar një shoqëri të shëndetshme dhe për të promovuar vendin tonë në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, përdorimi i fondeve publike duhet të jetë transparent dhe i orientuar drejt zhvillimit afatgjatë, jo për përfitime të momentit.

Për shkaqe transparente duhet theksuar se autori është pronar i një përqindëshit të një klubi të futbollit në Kosovë.

Exit mobile version