Telegrafi

Jo protesta por defilime më 1 Maj

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Haxhi Arifi tha se për një gjë të tillë kanë vendosur organet më të larta të BSPK-së dhe se të gjithë ata që kanë probleme e halle t’i bashkohen defilimit të thirrur nga sindikata.

“Organet e BSPK-së gjithmonë nxjerrin një vendim se a do të protestojmë apo do të festojmë, por kësaj radhe ne jemi përcaktuar për një defilim. Me gjithë organizimin e përvitshëm që kjo ditë të shënohet me protesta, BSPK-ja nuk ka qenë e kënaqur me prezencën e numrit që iu kanë përgjigjur ftesës”, theksoi Arifi.

Sipas tij, nga protesta e fundit, prej dhjetë pikave që kanë kërkuar të përmbushen për gjendjen dhe punëtorinë kosovare, shtatë prej tyre janë përmbushur, me ç’rast janë mbetur edhe tri pika të tjera.

“Kjo do të thotë se ne në të ardhmen nuk do të pushojmë së funksionuari për realizimin e këtyre kërkesave”, u shpreh Arifi.

Një Maji është e njohur si Dita e Punëtorëve. Ajo zë fill në vitin 1886, kur në Çikago të SHBA-së afro njëzet mijë punëtorë amerikanë arrijnë të plotësojnë kërkesën për uljen e orëve të punës. /Telegrafi/