Njëzetë herë i shtrëngoi duart me të në Bruksel, e një herë edhe në Vjenë. Ky, të paktën, është numri i takimeve publike që kryeministri kosovar, Hashim Thaçi i pati me homologun e tij serb, Ivica Daçiq.
Kështu, nga 19 tetori i vitit të kaluar, gjërat evoluuan, dhe përballjet dikur të paimagjinueshme ndërmjet ish-drejtuesit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-zëdhënësit të shtetit vrastar të Serbisë, u bënë diçka më se normale.
E, zërat kundërshtues nuk i dëgjoi kush.
Në fakt, bashkësia ndërkombëtare, që në rastin kosovaro-serb është Bashkimi Evropian e SHBA, nuk e ka zorin të merret me ata që janë kundër. Kjo bashkësi që 14 vjet më parë ndërhyri ta shpëtoj popullin e Kosovës, tani nuk e ka të domosdoshme ta pres edhe kërkim-faljen e Serbisë.
Bota po zien, e krizat po shtohen, kështu që aty ku është e mundur duhet rehatuar gjërat sa më parë. Kjo, edhe është arsyeja, pse shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, është fort e interesuar që raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të stabilizohen një herë e përgjithmonë, dhe atë sa më parë që është e mundur.
Në këtë pazar të ngutshëm, po fitojnë edhe Kosova edhe Serbia. Veçse për dallim nga e para, kjo e fundit, ndonëse e hartëzuar pa Kosovën, tashmë e ka edhe datën se kur i fillon negociatat për anëtarësim në BE. Kjo, krahas përzierjes në përcaktimin e të drejtave të serbëve këtu.
Nejse! Mirë e keq, gjithë këtë, dikush mund ta arsyetojë me një fakt: Kosova nuk u çlirua vetë, andaj as që mund t’i kundërshtojë ata që e ndihmuan.
E pikërisht nga këta që e ndihmuan, po vjen një propozim që mund të refuzohet. Nominimi për çmimin Nobel për paqe që katër kongresistë amerikanë ua bënë Thaçit, Daçiqit dhe ndërmjetësueses së tyre, Ashton, është diçka që duhet të refuzohet nga kryeministri kosovar.
Nëse deri më tani ai e ka pasur të pamundur t’i thotë Jo uljes në tavolinë me Daçiqin, dhe firmosjes së marrëveshjeve me të, tani e ka rastin. Çmimi Nobel nuk është i obligueshëm.
E arsyestimet janë të thjeshta, e madje edhe të rikonfirmuara.
Shefi i qeverisë serbe, nuk e shfrytëzoi as rastin më të ri që e pati ta shpreh, të paktën sa për sy e faqe, keqardhjen për atë që ushtria e policia e Serbisë bënë në Kosovë.
“Nuk e shoh të rëndësishme të kërkoj falje, me rëndësi është që fajtorët u dënuan”, tha ai javën e kaluar kur në Beograd, tre të mbijetuar të masakrës së kryer në Podujevë, i ekspozuan fotografitë e të dashurve të tyre të vrarë pikërisht nga shteti i Serbisë.
E pas nominimit për Nobel, ish-motori propagandues i makinerisë vrasëse, me modesti po thotë se atë e meriton Serbia, e jo ai personalisht.
Po, cila Serbi e meriton këtë çmim?
Ajo, që kur do dhe sa do i zbulon eshtrat e shqiptarëve që i vrau e i varrosi gjithkah nëpër Serbi e Kosovë?
Serbia, që është shteti i fundit gjenocidal i shekullit 20, por që kurrë nuk mësoi nga përvoja e atyre që diçka të tillë e bënë më herët?
E mos të harrojmë se pas gjithë këtyre të zezave, Daçiq e ka përmendur disa herë në Bruksel e Kosovë edhe idenë që përmes një lapidari të përbashkët të barazohet gjithë ajo që ka ndodhur në luftën e fundit, të cilën shqiptarët e Kosovës as nuk e nisën e as nuk e përfunduan vetë.
Por, Thaçi që së fundi po shfaqet aktiv në rrjetet sociale, do të duhej që të ndaj pak kohë edhe për kërkime në internet, nëse është i zënë për literaturë.
Me një kërkim të thjeshtë mund ta gjej se edhe Nelson Mandela e pati ndarë çmimin me Frederik Villem De Klerkun, më 1993. Por kjo kishte ndodhur tek pasi presidenti i fundit jugafrikan i erës së apartheidit, pati kërkuar falje për krimet që bashkëkombësit e tij të bardhë i bënë ndaj atyre që kishin ngjyrë lëkure si Mandela.
Po ashtu mund të mësoj se, si politikani-luftëtar vietnamez, Le Duc Tho e pati refuzuar çmimin që do ta ndante me sekretarin amerikan të shtetit, Henry Kissinger, më 1973. Kjo, pasi paqja mungonte në terren, pavarësisht Marrëveshjes së Armëpushimit të nënshkruar në Paris.
Kështu bazuar në këto përvoja, Thaçi mund të mësoj se çmimet si ky nuk janë vetëm për t’u pranuar.
E unë, që po i shkruaj këta rreshta, besoj fortë se as mësuesit, as mjekët, e as dëshmorët e invalidët e luftës që Thaçi i quajti si meritor për këtë nominim, nuk ndihen të nderuar nëse atë e ndajnë me atë që ua bëri të gjitha të këqijat.
Kështu, kryeministër e ke rastin t’iu thuash “Jo” miqve ndërkombëtarë, të paktën këtë herë.
Thuaji Jo, Nobelit me Daçiqin!
Për aq sa ai nuk kërkon falje.
(Autori është kryeredaktor i lajmeve në Klan Kosova)