Kryetarët e komisioneve parlamentare në Kuvendin e Kosovës kanë kërkuar që faza e re e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të mos filloj pa nxjerrjen e një rezolute të re nga Kuvendi i Kosovës.
Një gjë të tillë e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e Institutit Demokratik të Kosovës, sipas të cilëve nuk duhet të ketë fazë tjetër të dialogut pa konsultën e Kuvendit.
Këto u thanë në takimin e dytë koordinues, të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Instituti Demokratik i Kosovës, lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, ka thënë se ka nevojë për një rezolutë të re për dialogun mes Kosovës e Serbisë për të qartësuar pozicionin e presidentit, kryeministrit në këtë proces dhe të paraqiten vijat e kuqe në këtë dialog.
Derisa e ka vlerësuar shqetësues involvimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në procesin e dialogut, pavarësisht faktit se kreu i shtetit është udhëheqës i politikës së jashtme.
“Unë e shoh si shqetësuese jo vetëm si qëndrim politik, por nga aspekti i politikes së jashtme involvimin e presidentit për dy arsye, që janë ndoshta të natyrës teknike. E para nëse presidenti udhëheq këtë proces, nuk do të kemi mundësi ta mbikëqyrim si Kuvend. Dhe e dyta nëse arrihen marrëveshje në nivel presidentësh, presidenti nuk ka mekanizma impelemtues ekzekutiv e as ta urdhëroj Qeverinë të implementohen”, theksoi Osmani.
Ndërsa, Jeta Krasniqi nga KDI-ja theksoi se procesi i dialogut është ndër proceset më të mbyllura deri më tani, pasi që nga nisja e dialogut asnjë marrëveshje nuk është diskutuar paraprakisht, por vetëm pas arritjes së tyre.
Krasniqi theksoi se në fazën e tretë që pritet të fillojë shumë shpejt, Kuvendi duhet të luaj rol më aktiv dhe se nuk duhet të ketë fazë tjetër të dialogut pa një rezolutë të re të Kuvendit.
Një rezolutë të re të Kuvendit për këtë proces, kërkoi edhe kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, pasi ky proces ishte pezulluar në kohën kur Haradinaj ishte arrestuar në Francë.
Kritika ndaj këtij procesi pati edhe Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit për Legjislacion, sipas së cilës, delegacioni i Kosovës ka shkuar i papërgatitur në dialog dhe si pasoj e kësaj janë bërë koncesione të dëmshme për Kosovën.
Madje, ajo theksoi se nuk mund të ketë fazë të re të dialogut pa një hetim të secilës marrëveshje të arritur deri me tani.
Por, kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Driton Selamanaj, e vlerësoi se duhet menjëherë Kuvendi të nxjerrë një rezolutë meqë ky proces ka rrëshqitur në tematikë krejtësisht politike.
Në këtë takim edhe kryetarët tjerë të komisioneve thanë se do të kërkojnë përgjegjësi për këtë proces. /kp/Telegrafi/