Site icon Telegrafi

“Jo i drejtë dhe i papranueshëm”, Krasniqi reagon pasi Specialja refuzoi kërkesën e Thaçit për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij

Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij. E, për këtë vendim të Speciales ka pasur reagime të shumta.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në reagimin e tij, ka shkruar se “Drejtësia që harron njeriun nuk është drejtësi”.

“Ka dhembje që nuk maten me ligje. Humbja e një prindi është një nga ato momente ku njeriu duhet të jetë i mbrojtur nga sistemi, jo viktimë e tij. Në thelbin e çdo drejtësie të ndershme qëndron jo vetëm respektimi i ligjit, por edhe njohja e nevojave dhe të drejtave themelore të njeriut; e drejtës për t’u ndarë nga ai që të solli në jetë, për ta përshëndetur për herë të fundit, për të qëndruar pranë familjes në ditën më të rëndë”, ka pohuar ai, transmeton Telegrafi.

Ai mes tjerash, ka deklaruar se “refuzimi i kërkesës së Presidentit Thaçi nga Dhomat e Specializuara për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij është jo i drejtë dhe i papranueshëm”.

“Ajo që po ndodh sot nuk ka lidhje me drejtësi, por me diskriminim. Nuk është ligj, por arbitraritet. Nuk është siguri, por ç’njerëzi. Një Gjykatë ku drejtësia harron njeriun është një Gjykatë që ka humbur rrugën e saj. Drejtësia pa ndjeshmëri është vetëm një mekanizëm i ftohtë, i pajetë, që nuk shërben as qytetarin, as shoqërinë. Historia nuk do të harrojë”, tha ai.

Tutje, Krasniqi ka pohuar se kjo është e dhembshme dhe e papranueshme./Telegrafi/

Exit mobile version