Site icon Telegrafi

Zonja e Parë e SHBA-së, Jill: Joe Biden gati për të rikandiduar për president

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Jill Biden dha një nga sinjalet më të qarta deri më tani se presidenti amerikan, Joe Biden do të kandidojë për një mandat të dytë.

Ajo i tha agjencisë Associated Press në një intervistë ekskluzive të premten se nuk ka mbetur pothuajse asgjë tjetër për të bërë, përveçse të përcaktohet koha dhe vendi për shpalljen e kandidaturës.

Megjithëse Biden ka thënë prej kohësh se synon të kërkojë rizgjedhjen, ai ende nuk e ka zyrtarizuar atë dhe është përballur me pyetjet nëse është shumë i moshuar për të vazhduar të shërbejë si president. Presidenti Biden do të ishte 86 vjeç në fund të një mandati të dytë.

Lexo po ashtu Nikki Haley, gruaja e një burri me prejardhje shqiptare mund të bëhet presidente e SHBA-së

“Ai thotë se ka akoma punë për të bërë”, tha Zonja e Parë në Nairobi, ndalesa e dytë dhe e fundit e udhëtimit të saj pesë-ditor në Afrikë. “Ai nuk e ka përfunduar atë që ka filluar. Dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Sa herë do t’i duhet ta thotë këtë që ta besoni?”, shtoi ajo, raporton zeriamerikes.

Këshilltarët e Bidenit kanë thënë se ai ka të ngjarë ta bëjë njoftimin në prill, e njëjta periudhë e vitit kur presidenti, Barack Obama nisi zyrtarisht fushatën e tij për rizgjedhje.

Zonja e Parë është cilësuar gjithmonë si një figurë kyçe në rrethin e presidentit Bidenit, ndërsa ai bën planet për të ardhmen politike të tij.

Ndryshe, ish-guvernatorja republikane e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, ka bërë të ditur se do të kandidojë për presidente, në zgjedhjet e vitit 2024 në SHBA. /Telegrafi/

Exit mobile version