Telegrafi

‘Jetonte nga dita në ditë, u largua nga kjo botë me buzëqeshje në fytyrë’ – djali i Coolios tregon shkakun e vdekjes së babait

(Foto: Instagram/coolio)

Reperi amerikan, Coolio, i njohur më së shumti për hitin kult, “Gangsta’s Paradise”, vdiq në fund të muajit të kaluar në moshën 59 vjeçare dhe tani është zbuluar shkaku i vdekjes së tij.

Reperi është gjetur pa shenja jete në dyshemenë e banjës së shtëpisë së mikut të tij në Los Angeles. Edhe pse ekipi i urgjencës reagoi shpejt, për fat të keq, ai nuk dha shenja jete. Përpjekjet për reanimacion zgjatën 45 minuta.

Për një kohë nuk u bë i ditur shkaku i vdekjes së reperit, por djali i tij i madh, Artis Ivey III, në ditëlindjen e të cilit ndodhi gjithçka, tashmë ka folur për vdekjen e të atit. Ai shpjegoi se Coolio vdiq nga një atak në zemër.

“Babai im kishte disa komplikime shëndetësore. Ai shqetësohej për ato gjëra. Vuante nga astma, një astmë shumë e keqe”.

“Ai jetonte nga dita në ditë. Kryesisht nuk merrte drogë, por të gjithë kanë veset e tyre në jetë, ndërsa ato vese kurrë nuk ndikuan tek ai si baba apo njeri. Ai vdiq nga shkaqe natyrale, nga një atak në zemër”, ka treguar djali i reperit të ndjerë.

Edhe pse vdekja e tij natyrshëm erdhi si një tronditje për njerëzit më të afërt me të, Ivey pretendon se Coolio “i përgatiti ata për të papriturën”.

“Babai ynë gjithmonë na përgatiste për gjërat që mund të ndodhin”, ka thënë djali i tij, duke shpjeguar se Coolio ishte një “person shumë shpirtëror” që nuk kishte frikë nga vdekja.

“E dini, ai kishte një buzëqeshje në fytyrë kur erdhi koha që të largohej nga kjo botë. Dhe kjo është e gjitha që ka rëndësi… Ai është një nga ata njerëz që me të vërtetë duhej të përmbushte fatin e tij në jetë”, ka përfunduar djali i reperit. /Telegrafi/