Site icon Telegrafi

Jeton Nixha, sekretar i FBK-së

E ky tubim i Bordit solli edhe disa nga vendimet më të rëndësishme para fillimit të stinorit në elitën e basketbollit kosovar. Gjithsesi, së pari FBK-ja ndryshoi disa nga strukturat e saj, duke veçuar largimin e Nazmi Paqaradës nga detyra e sekretarit të FBK-së dhe emërimin e ish-basketbollistit tjetër, Jeton Nixha në këtë detyrë.

Ashtu siç kishte njoftuar Arena kohë më parë, Nixha do të jetë një nga krahët ndihmës të kreut të basketbollit kosovar, Erolld Belegu. Në një prononcim për gazetën, ish-trajneri i Bashkimit ka theksuar se do ta japë kontributin e tij maksimal për ta ndihmuar basketbollin kosovar.

“Shumë njerëz kanë qenë të angazhuar me bizneset e tyre dhe kryetari ka kërkuar bashkëpunim dhe një mënyrë të re të udhëheqjes së federatës. Unë i kam thënë se mund ta jap kontributin tim dhe ka ardhur deri te arritja e marrëveshjes. Unë do ta jap kontributin tim maksimal për të arritur synimet e federatës”, ka theksuar Nixha.

Bordi gjithashtu u njoftua me raportin preliminar të auditimit të dorëzuar nga kompania gjegjëse duke evidentuar disa parregullsi gjatë periudhës 2012/13, gjithsesi raporti përfundimtar ende nuk është dorëzuar. Ndër të tjera vendime, Bajrush Ademi u emërua Komisar i Garave për ligat e grupmoshave të reja dhe do ta ushtrojë këtë pozitë edhe me seniorë, deri te një vendim i radhës. /Tribuna/Telegrafi/ 

Exit mobile version