Hanumshae Kamberi është një ndër banoret e shumta të komunës së Likovës e cila nuk është e pajisur me nënshtetësi të Republikës së Maqedonisë. Edhe pse e lindur në fshatin Llopat të Kumanovës tash e 42 vite zonja Hanumshae sipas autoriteteve maqedonase nuk plotëson kushtet për nënshtetësi. Ndryshe nga ajo, familja e saj, prindërit, vëllezërit por edhe fëmijët e saj posedojnë nënshtetësi.
“Pa nënshtetësi jam qe 42 vite, këtu jam e lindur, në fshatin Llopat e kam të kryer shkollimin, familja ime e kanë të gjithë nënshtetësinë. 20 vite jam e kurorëzuar me bashkëshortin, thonin se nëse je 3 vite e kurorëzuar del nënshtetësia, kemi aplikua në gjitha institucionet por nuk na merr në dorë askush. Më kërkuan vërtetim që nuk jam nënshtetase e Serbisë, e solla, ja këtë vërtetimin çka ma kanë dhënë autoritetet e Serbisë që jam banore dhe e lindur në fshatin Llopat të Kumanovës, por kot nuk na merr në dorë askush, fukaran nuk e merr në dorë askush”, tha Hanumshae Kamberi për Alsat-M.
Problemi me nënshtetësinë ia rëndon edhe më shumë jetën, pasi ia pamundëson edhe dokumentacionin tjetër përfshi pasaportën dhe librezën shëndetësore .
“Nuk po mundem as në doktor të shkoj sepse kam problem me fytin duhet të operohem, çka të bëj pa të holla, pa librezë shëndetësore si të shkoj në Shkup kur nuk po mundem as termin të caktoj për kontrolle pa dokumente. 32 vjeç më vdiq djali i motrës po çka jam mërzitë që nuk kam mund me shku me pa xhenazen e atij djali, shumë keq mos me mund me shku deri në Preshevë shkaku I dokumenteve, ju lutem po apeloj që të më ndihmojë ndokush për këtë dokument ta rregulloj për hatër të fëmijëve që mos të më vijë vdekja para kohe shkaku i këtij operacioni”, u shpreh Hanumshae Kamberi.
Problemin e shumë qytetarëve më nënshtetësinë e apostrofojnë edhe nga zyra e Avokatit të Popullit
“Akoma ka shumë njerëz që nuk e kanë fituar statusin e shtetasit të R.M. kur e them këtë nisem nga ajo se akoma qytetarët vijnë në numër të madh, ku këtë e dëshmojnë edhe parashtresat e parashtruare deri te avokati i popullit për realizimin e fitimit të drejtës së statusit shtetas i R.M”, deklaroi Naser Veseli zv.Avokat i Popullit Kumanovë.
Veseli njofton se vetëm në vitin 2015 në zyrën e tij janë parashtruar 17 parashtresa që kanë të bëjnë me nënshtetësinë, sipas tij situata të ngjashme ka edhe në komunat tjera.