Telegrafi

Jeton Kelmendi nderohet me çmimin prestigjioz francez

Kelmendi, i cili është vlerësuar për arritjet në fushën e poezisë dhe për gjuhën e bukur të përdorur në poezi, ka triumfuar në mesin e 70 poetëve nga vende të ndryshme të botës që ishin nominuar nga juria e udhëhequr nga akademik Athanase Anchev de Thracy.

Jeton Kelmendi, i cili është poeti i parë shqiptar që nderohet me këtë çmim, nëpërmjet telefonit për Kohën Ditore është shprehur i kënaqur që është shpërblyer me çmimin, i cili radhitet në mesin e dhjetë çmimeve më prestigjioze të poezisë që ndahen në Francë.

“Konsideroj se është një sukses imi dhe duhet të them se ndihem shumë i kënaqur dhe i lumtur sidomos meqë përfaqësoj poezinë shqiptare”, ka thënë Kelmendi për gazetën. “Është një lloj afirmimi i poetëve shqiptarë në botë”, ka shtuar ai.

Kelmendi po ashtu ka dhënë detaje lidhur me “Grand Prix International Solenaza de Poesie”.

“Është një çmim i akorduar për personalitetet që kanë shënuar një gjuhë të veçantë në poezi dhe për vepër jetësore, i cili është i themeluar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Francës në bashkëpunim me Universitetin e Sorbonës”, ka shpjeguar ai. /Koha/