Site icon Telegrafi

Jetojnë pranë ish-fermës së Pablo Escobar, Kolumbia propozon transferimin e 70 hipopotamëve në Indi dhe Meksikë

Kolumbia po propozon transferimin e të paktën 70 hipopotamëve që jetojnë pranë ish-fermës së Pablo Escobar – pasardhësit e katër hipopotamëve të importuar nga Afrika në mënyrë të paligjshme nga bosi i ndjerë i drogës në vitet 1980 – në Indi dhe Meksikë, si pjesë e një plani për të kontrolluar popullsinë e tyre.

Hipopotamët, të cilët janë territorialë dhe peshojnë deri në 3 tonë, janë përhapur përtej fermës Hacienda Napoles, të vendosura 200 kilometra larg nga Bogota përgjatë lumit Magdalena.

Autoritetet mjedisore vlerësojnë se ka rreth 130 hippos në zonën në provincën Antioquia dhe popullsia e tyre mund të arrinte deri në 400 brenda tetë vitesh.

Hacienda Napoles e Escobar – dhe hipopotamët – janë bërë një lloj atraksioni turistik në vitet pas vrasjes së “mbretit” të drogës nga policia në 1993.

Kur ferma e tij mbeti e braktisur, hipopotamët mbijetuan dhe u riprodhuan në lumenjtë lokalë duke iu falënderuar kushteve të favorshme klimatike, raporton AP, transmeton Telegrafi.

Plani për t’i çuar ata në Indi dhe Meksikë është “formësuar” për më shumë se një vit, deklaroi Lina Marcela de los Ríos Morales, Drejtoreshë e Mbrojtjes së Kafshëve dhe Mirëqenies në Ministrinë e Mjedisit të Antioquia.

Hipopotamët do të josheshin me ushqim për t’u futur në kontejnerë të mëdhenj nga hekuri dhe do të transferoheshin me kamion në aeroportin ndërkombëtar në qytetin e Rionegro, 150 kilometra larg.

Nga atje, ata do të dërgoheshin me aeroplanë në Indi dhe Meksikë, ku ka strehimore dhe zoologjike të afta për të marrë dhe kujdesur për kafshët. /Telegrafi/

Exit mobile version