Site icon Telegrafi

Jetoi me qira dhe ishte personi i parë në familje që shkoi në universitet: Jeta politike dhe jo vetëm e Sanna Marin, kryeministres së re të Finlandës

Një ministre 34-vjeçare e transportit është vendosur të bëhet kryeministrja më e ri e Finlandës ndonjëherë dhe udhëheqësja e tretë femër.

Kjo pasi që Këshilli drejtues i Partisë Social Demokratike në Finlandë votoi 32-29 për të emëruar Sanna Marin mbi rivalin Antti Lindtman për të marrë postin më të lartë të qeverisë nga Antti Rinne.

Pasi u shfaq si partia më e madhe e Finlandës në zgjedhjet e muajit prill, Social Demokratët mund të caktojnë njërën nga postet e kryeministrit në vendin nordik prej 5,5 milionë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, nëna e një fëmije ka pasur një ngritje të shpejtë në politikë që kur u bë kryetare e këshillit të qytetit të vendlindjes së saj industrial në Tampere në moshën 27 vjeç.

E rritur nga një nënë “beqare”, ajo ka qenë nënkryetare e partisë dhe shërbeu deri këtë javë si ministre për transport dhe komunikacion.

Raportet e mediave thonë se Sanna Marin ishte rritur duke jetuar në një apartament me qira me nënën dhe partnerin e nënës së saj.

Lexo po ashtu Finlanda do të ketë një kryeministre të re, ajo do të jetë "udhëheqësi më i ri në botë"

Ajo tha në faqen e internetit Menaiset (në finlandisht) në vitin 2015 se si fëmijë ndihej e “padukshme” sepse nuk ishte në gjendje të fliste hapur për familjen e saj.

Por ajo tha që nëna e saj kishte qenë gjithmonë mbështetëse dhe e bëri atë të besonte se mund të bënte gjithçka që dëshironte.

Ajo ishte personi i parë në familjen e saj që shkoi në universitet.

Zonja Marin u ngrit shpejt nëpër radhët e Social Demokratëve, duke drejtuar administratën e qytetit në Tampere në moshën 27 vjeç dhe duke u bërë deputet në 2015.

Ajo ka qenë ministre e Transportit dhe Komunikimit që prej qershorit dhe ka një vajzë 22-muajshe.

Mediat rikujtojnë faktin se në gusht ajo nxori idenë e një jave pune katër-ditore, 24 orë punë në javë, duke thënë: “Një javë pune katër-ditore, një ditë gjashtë-orëshe. Pse nuk mund të jetë hapi tjetër? A është tetë orë me të vërtetë e vërteta përfundimtare? Unë besoj se njerëzit meritojnë të kalojnë më shumë kohë me familjet e tyre, të dashurit, hobe dhe aspekte të tjera të jetës, siç është kultura. Ky mund të jetë hapi tjetër për ne në jetën e punës”.

Sipas gazetës më të madhe në Finlandë, Helsingin Sanomat dhe tabloidit Ilta-Sanomat, Marin do të bëhet kryeministrja më e re në botë, përcjell Telegrafi.

Ajo do të marrë përsipër këtë post në mes të një valë tre-ditore të grevave, e cila do të ndalojë prodhimin në disa prej kompanive më të mëdha të Finlandës që nga e hëna.

Konfederata e Industrisë finlandeze vlerëson se greva do t’i kushtojë ndërmarrjeve 500 milionë euro, në të ardhura të humbura.

Gjithashtu, Finlanda aktualisht mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian deri në fund të vitit.

Kështu, politikanët ka të ngjarë të aprovojnë emërimin e Marin dhe qeverisë së saj të re shpejt, në mënyrë që ajo të mund të përfaqësojë Finlandën në samitin e 12-13 dhjetorit të liderëve të BE në Bruksel. /Telegrafi/

Exit mobile version