int(1) Jetishi: Eko-higjiena po bëhet storie e suksesit - Telegrafi
Site icon Telegrafi

Jetishi: Eko-higjiena po bëhet storie e suksesit

Kryesuesi i komisionit komunal të aksionarëve, Xhelal Jetishi dhe U.D. i drejtorit ekzekutiv të kompanisë “Eko-higjiena”, Senad Rama, kanë prezantuar gjendjen në të cilën është kjo kompani në bazë të punës që është duke bërë dhe planifikimin për të ardhmen që dëshmon për një rrugë e cila do të jetë fuqizim dhe zhvillim.

Me këtë rast kryesuesi Xhelal Jetishi, ka thënë se kjo kompani është e para dhe e vetmja në nivel të vendit për fushën e mbeturinave, që është bashkim i kapitalit dhe investimeve përmes Partneritetit Publiko Privat mes sektorit publik në këtë rast Komunës dhe atij privat “Moser Group” nga Austria.
“Eko-higjiena” është kompania e vetme në nivel vendi në fushën e mbeturinave që funksionon përmes Partneritetit Publiko Privat, me qëllim të përmirësimit të gjendjes në aspektin e pastërtisë, duke bërë grumbullimin e mbeturinave dhe mirëmbajtje të hapësirave publike, si rrugët, parqet, trotuaret, varrezat dhe hapësira të tjera publike”, tha Jetishi.

Ai ka thënë se problemet që ishin në KRM “Higjiena”, sa i përket mungesës auditimit të jashtëm siç është ajo e kontabilitetit jo stabil, shkallës së ulët të inkasimit, obligimeve përherë në rritje, detyrimeve shqetësuese ndaj ATK-së, detyrimeve dhe borxheve ndaj Deponisë së Mbeturinave, por edhe aspekteve të tjera negative në këtë kompani, tashmë janë pjesë e së kaluarës, ngase tashmë në “Eko-higjiena” ka ndodhur një përmirësim dhe të gjitha trendët janë pozitive.

Kurse, Senad Rama, U.D. në “Eko-higjiena” ka thënë se për këtë gjashtëmujor të vitit 2015 trendi i inkasimit është në rritje dhe është përditë e më i mirë falë angazhimit dhe menaxhmentit, por edhe falë vetëdijesimit të qytetarëve që të paguajnë për shërbimet e kryera.

“Prej 1.7 milion eurove që janë borxhet ndaj kompanisë “Eko-higjiena”, vetëm në gjashtëmujorin e parë është arritur që të hyrat për këtë periudhë të jenë mbi 295 mijë euro, që shpenzimet përafërsisht janë të njëjta me të hyrat. Vetëm shpenzimet për paga janë 65 %, pastaj, shpenzimet për deponinë e mbeturinave përfshinë 11 %, shpenzimet e karburantit janë 10.5 % dhe shpenzime të tjera janë 13 %”, ka thënë Rama, duke bërë të ditur se numri i përgjithshëm i konsumatorëve është 20 487, duke përfshirë Gjilanin, Kamenicën dhe Vitinë.

Rama ka thënë se nëse bëhen krahasimet e inkasimit nga 45 – 50 % që ishte në vitin 2012 në periudhën e njejtë të këtij viti, inkasimi shënon një rritje prej 75 – 80 %, që janë trende pozitive. Ai ka bërë të ditur se vitin e kaluar është bërë edhe ngritja e pagave nga 4% deri në 8%.

Në konferencë u tha se prioritet i kompanisë është projekti për separim të mbeturinave në bashkëpunim me Komunën e Gjilanin dhe GIZ-in gjerman, që do të nis me lagjen “Dheu i Bardhë” dhe me lagjen “Dardania” që pritet të nis në fillim të vitit 2016, pastaj prioritet tjetër është rritja e cilësisë së shërbimeve, pastaj gjetja e mekanizmave për kryerje të obligimeve që kanë konsumatorët ndaj kompanisë dhe prioritete të tjera që kanë të bëjnë me aspektin e zhvillimit dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve. /Telegrafi/

Exit mobile version