– Këndvështrim sociologjik –
Në Kosovë ka përfunduar lufta, pothuajse, që 11 vjet. Pas gjithë këtyre viteve, rrjedhat teknologjike të botës janë bartur edhe këtu, e sidomos teknologjia e medieve, të cilat gjithherë kanë synim – lehtësimin e përçimit të lajmeve sa më lehtë e sa më shpejt te publiku. Pra, në këtë dekadë të pasluftës, Kosova, si kurrë më parë, ka filluar të vrapojë drejt globalizimit qoftë të medieve, qoftë të infrastrukturës rrugore, qoftë të demokratizimit të institucioneve të saj; qoftë, madje, edhe për shumë çështje sociale, shëndetësore e, edhe për planifikime familjare. Por, shumë shqetësime kanë mbetur ende të theksuara si: vetëvrasja, prostitucioni, pornografia, homoseksualizmi, droga etj., veçmas: aborti, i cili këtu do të përmendet kalimthi.
Sot në Kosovë nuk di nëse ka ndonjë familje (përjashtuar ato në gjendje shumë të rëndë ekonomike) që s’i dëgjon lajmet së paku një herë në ditë qoftë në radio ose në televizion e që nuk i komenton deklaratat e politikanëve të partive të ndryshme, por jo edhe programet e tyre të prezantuara gjatë e pas fushatës zgjedhore.
Zgjedhjet e kaluara dëshmuan se politika kosovare (partitë) duket se nuk e ka fort të qartë, në program jo se jo, se ka përgjegjësi të merret edhe me këto probleme që përmendëm, të cilat, edhe meqenëse kohët e fundit në shoqërinë tonë gjithnjë e më shumë janë në rritje, aq më pak po kihet kujdes për to e ndaj atyre njerëzve. Ato vazhdimisht po tejkalohen, sikur të ishin të armiqve. Për to nuk hapin veshët institucionet e shtetit e as nuk iu shkon mendja partive të përmendin ndonjërën prej tyre. Kurse, në anën tjetër, mediet çdo mëngjes, çdo mesditë e çdo mbrëmje bëjnë zhurmë rreth këtyre problemeve, lehin sikur zagarët, sipas takatit, pas gjahut në mal ose në fushë, duke sjellë edhe pamje të personazheve e, edhe fjalë rrëqethëse nga jeta e tyre. Por, ndërmjet shoqërisë dhe shtetit ka dhe një problem tjetër, shumë të vrazhdë.
Me prurjen e “vlerave” të reja, kinse emancipimit e demokratizimit të shoqërisë, sidomos gjinisë femërore, disi ka filluar të keqkuptohet ajo liria e sjelljes së një kategorie të femrave në Kosovë. Por, prej nga ky keqkuptim? Përgjigjet rreth tij do të ishin të ndryshme, ngaqë nuk ka analiza të plota se përse vajzat e reja, për shkak të kësaj “lirie” të keqkuptuar, kanë filluar t’i lëshohen lirisë seksuale me bashkëmoshatarët e vet e shpeshherë edhe me mosha të tjera më të mëdha.
Një ndër shpjegimet tona është se, shkaqet duhen kërkuar në praninë e ndërkombëtarëve në Kosovë që nga paslufta e këndej. Kontingjentet e forcave paqeruajtëse, që në Kosovë kanë qenë në numër tejet të madh, natyrisht se kanë pasur nevoja seksuale dhe interesime. Kjo tezë e jona mund të kontestohet nga këndvështrimi informativ, por si dukuri e shprehur tashmë, madje edhe me dimensione goxha alarmuese, për mendimin tonë, e ka “gjetur” vendin e vet në mesin e atyre fenomeneve që duhet t’u kushtohen vëmendje e posaçme.
Së këndejemi, mendojmë se shkaqet duhen kërkuar edhe tek njëfarë indeference e re e prindërve që ka filluar ndaj gjeneratës së re (gjenerata e viteve ’90-ta), që tashmë ka hyrë si kontingjent, që më së shumti po ka probleme ta gjejë vetveten në këto proceset e reja, të quajtura, pra, demokratike! E, edhe pse, në anën tjetër është një hall tjetër i madh: prindërit, më parë sesa me problemet e vajzës, janë të mbingarkuar me probleme ekonomike, sidomos me: ta sigurojnë ekzistencën (bukën) për familje.
Më tutje, kuptojmë se, një qytetari kosovar, që është i ngarkuar me shumë halle ekonomike e sociale, larg mendsh se do t’i bie ndërmend t’i flasë vajzës për edukatë seksuale, se kur është koha më e përshtatshme e marrëdhënies së parë, apo cilat mjete preventive duhet të përdoren gjatë marrëdhënies seksuale për t’u mbrojtur nga: shtatëzënia e padëshiruar, nga HIV-i, sifilizi e ndonjë sëmundje tjetër infektuese e ardhura nga moskujdesia gjatë aktit seksual.
Gjithashtu, kemi vënë re se gjeneratat e reja kanë një individualizim të tepruar, që me kushtet dhe rrethanat tona ekonomike vështirë se mund të ndërtohet dhe të ngrihet njësojë sikurse që ka ndodhur, bie fjala, në botën perëndimore. Këtij faktori themi që duhet shtuar edhe krizën që e ka kapluar institucionin e familjes kosovare që, tashmë, edhe me thellimin e tepruar të krizës ekonomike, është futur në një lloj skeme të çoroditur makiaveliste! Por, ka një zgjidhje.
Terapia më e mirë për të gjithë ne është: jo kthimi decidiv kah vlerat konservative të familjes sonë, se ato, është e kuptueshme, nuk mund t’u bëjnë më rezistencë kohës dhe proceseve të reja integruese, por duhet të shkojmë kah kombinimi i natyrshëm i këtyre vlerave me trendët e rinj të shoqërisë sonë shumetnike. Kështu, mbase, do të jemi shumë më të kujdesshëm për vete dhe për shtetin!
Pak larg nesh ka shembuj për të mirë. Nëse kalojmë kufijtë gjeografikë të Kosovës, shohim se në Shqipëri është i pranishëm një trend i tillë i kombinimit të këtyre dy sistemeve të reja, por në Kosovë, edhe pse kaq afër me këtë kombshtet, ende s’e dimë se kah do të shkojë ky trend. Përveç që i mbetet kohës të na tregojë se kah do të shkojmë, është edhe koha që projektet e qeverisë dhe programet e partive të jenë shumë më ndryshe nga ç’janë tash, dosido të ofrojnë një zgjidhje për jetë më të mirë e më të rehatshme për akëcilin shtetas të Republikës së Kosovës. Por, hëpërhë, na mbetet ta presim edhe më tutje, po kaq rëndë, atë të ardhme më të mirë për këta jetimë të shtetit!
(Autorja është gazetare e diplomuar dhe vijon studimet bachelor në Sociologji)