Telegrafi

“Jetimat e Ballkanit”, bëjnë punën e qeverisë (Foto)

Iniciativa për hapjen e kuzhinave humanitare është e bazuar në eksperiencën e shteteve perëndimore, ka thënë Halil Kastrati, drejtor i shoqatës humanitare “Jetimat e Ballkanit”, që është njëkohësisht iniciatori kryesor i hapjes së kuzhinave humanitare.

“Gjendja e vështirë ekonomike e popullit të Kosovës ka qenë motivi kryesor për këtë”, shprehet Kastrati për Telegrafin.

Sipas tij, kuzhinat në qytetin e Pejës dhe Prizrenit, janë të destinuara për njerëzit me nevoja sociale , veçanërisht për jetimë, invalidë të luftës, skamnorë etj.

“Për momentin, në kuadër të shoqatës humanitare ‘Jetimat e Ballkanit’, kemi dy kuzhina humanitare: në qytetin e Pejës dhe në qytetin e Prizrenit. Në kuzhinën e qytetit të Pejës kemi evidentuar 320 nevojtarë në ditë, kurse në qytetin e Prizrenit 200”.

Kastrati ka shpjeguar se kuzhina e tillë në qytetin e Pejë, në prill të këtij viti mbush dy vjet, ndërsa ajo në Prizreni ka pesë muaj që ka filluar punën.

“Synimi jonë është që të shtrihemi në shtatë qendrat kryesore të Kosovës”.

Kastrati shprehet se shoqata humanitare “Jetimat e Ballkanit”, mjetet financiare i siguron brenda territorit të Kosovës dhe atë në dy mënyra.

“E para, përmes anëtarësimit të bizneseve të vogla në qytetin e Pejës dhe Prizrenit. Mënyra e dytë është përmes kasave te qelqit të cilat i kemi vendosur nëpër markete dhe dyqane, ku qytetarët e vullnetit të mirë mund të kontribuojnë me sasi të caktuar të parave”.

Kastrati thekson se shumë njerëz të vullnetit të mirë përcjellin punën e kuzhinave popullore dhe se në vazhdimësi u gjenden pranë me kontributet e tyre.

“Një falënderim i veçantë shkon për Riza LLukën, drejtorin e Radiotelevizionit Dukagjini, i cili ka dhënë kontribute të çmuar për ekzistimin e kuzhinës në qytetin e Pejës. Njëkohësisht, ai ka qenë promotor i shumë ndihmave të ardhura nga bizneset në qytetin e Pejës dhe shtytës që të synojmë shtrirjen në tërë Kosovën me punë të tillë humanitare. Në ndihmë gjithashtu na janë gjendur Korporata Dukagjini dhe Fabrika e Re e Brumërave në Pejë që për dy vite me radhë dhuruan nga 120 bukë në ditë”, thotë Kastrati.

Sipas tij, periudha prej muajit dhjetor e deri në mars, është periudhë kur kuzhinat ndodhen në situatë kritike në aspektin financiar.

“Fatkeqësisht, ky problem po na përcjell që dy vite rresht. Ka raste kur kemi deficit financiar, e ndonjëherë furnizuesve ju mbesin borxh. Fatmirësisht, del dikush nga donatorët që merret edhe me borxhet tona”.

Kastrati tregon se shumë herë jenë të detyruar të pranojnë persona të rinj në kuzhinat popullore. Kjo sipas tij, paraqet një problem tjetër.

“Kuzhinat janë në gjendje të ofrojnë ushqim për 520 persona brenda ditës, ndërsa ka ditë që numri i nevojtarëve kalon në mbi 700. Kërkesat janë aq të mëdha, sa që shume herë ndodh që një racion ta ndajmë në dysh”, shprehet Kastrati, i cili shton se përkrahja e institucioneve komunale nuk ka munguar, por që kjo përkrahje “lë shumë për të dëshiruar”.

“U bëj thirrje të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë që t’i vizitojnë kuzhinat humanitare, të shohin punën që bëhet, njerëzit të cilët ushqehen, e pastaj të vendosin se a duhet të ndihmojnë a jo”. /Telegrafi/