Site icon Telegrafi

Jetësohet projekti për ndërtimin e qendrës më të madhe të Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë “UBT Smart City”

Me një hapësirë rreth 28 mijë metra katrorë, në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, po jetësohet Qendra e Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e ashtuquajtur “UBT Smart City”, e cila do të jetë qendra e parë e këtij lloji në Kosovë, që do të mundësojë rritjen e vendeve të punës, ndërmarrësisë, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë.

Qendra e Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit do të jetë e vendosur në Parkun Shkencor dhe Teknologjik të UBT-së, në të cilin do të bëhet zhvillimi i shkencës, do të kryhen eksperimente dhe do të zhvillohen produkte inovative, ku me ndërtimin e këtij objekti, i gjashti brenda Kampusit Inovativ të UBT-së, arrihet plotësimi i ekosistemit inovativ, dhe duke ia shtuar teknologjitë smart kjo hapësirë i plotëson kushtet për një Smart City dhe si e tillë kjo është qendra më unike në Ballkanin Perëndimor.

Me një arkitekturë të veçantë të bazuar në standarde të larta dhe me zbatimin e teknologjisë të së ardhmes, kjo qendër përveç tjerash do të ketë edhe vende për punë praktike, laboratorët, konviktin, bibliotekën, kuzhinën, inkubator, industri të vogla, hapësira për biznese të reja, qendrat kreative, hapësira sportive dhe të gjitha elemente të tjera të nevojshme për të plotësuar një ekosistem inovativ.

Përkundër vështirësive dhe ndikimit të COVID-19, UBT vazhdon t’i qëndrojë besnik strategjive dhe vizionit të saj. I tërë ky investim është bërë dhe po bëhet me qëllim që të kontribuojmë në edukim cilësorë, rritjen e punësimit, zhvillimin e ndërmarrësive të reja inovative dhe bizneseve, si dhe ngritjen e kapaciteteve humane konform kërkesave të tregut të punës, kompetencave të së ardhmes, politikave publike dhe në përgjithësi zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës.

Exit mobile version