Site icon Telegrafi

Jetë mizore: Fshati grek që u bë makthi i refugjatëve (Video)

Idomeni, një fshat i vogël në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë, është bërë shtëpi e pothuajse 13 mijë refugjatëve nga Lindja e Mesme, prejse autoritetet maqedonase e mbyllën kufirin fundvitin e shkuar.

Sirianë, irakianë, kurdë, afganë e të tjerë kalojnë ditët në tenda përplot ujë dhe baltë, me shpresë që rruga e tyre drejt Evropës Perëndimore një ditë do të hapet.

Në shenjë proteste me situatën e tyre, ata tash e disa ditë kanë bllokuar edhe hekurudhën që kalon nëpërmes këtij fshati, duke pamundësuar qarkullimin e trenave mes dy shteteve.

E jeta në kamp është më së e mjerueshme.

“Jeta ime këtu është shumë e keqe. Shpresoj që të mund të shkoj në Gjermani. Në Siri isha student. Para 6 muajsh e kam përfunduar kolegjin dhe meqë s’mund të rrija në Siri, shkaku i luftës, u detyrova të ikja. Tani dua të shkoj në Gjermani për të vazhduar studimet”, thotë Civan Mohammed, nga Daraa, Siri.

Frustrimi dhe paqartësia mbizotërojnë, pasi banorët e kampit nuk dinë se çfarë të bëjnë apo ku të shkojnë. Janë të pakta organizata të mëdha humanitare, të cilat ndihmojnë këta refugjatë. Njëra prej tyre është Mjekët pa Kufi, ndonëse kapaciteti i saj është i limituar.

“Situata është shumë e vështirë dhe shumica e njerëzve ende jetojnë në këto tenda të vogla që nuk janë të bëra aspak për këto qëllime. Por, meqë jemi në fund të dimrit edhe pse ka shumë shi e erë, njerëzit vazhdojnë të flenë në baltë”, thotë Emmanuel Massart, nga Mjekët pa Kufij.

Qeveria greke ka thënë se nuk do të përdorë dhunën për të zhvendosur refugjatët brenda kampit, derisa tash e disa ditë autobusët arrijnë për të marrë ata të cilët duan të zhvendosen në qendra tjera pranuese.

Por, që nga 25 marsi vetëm rreth 1 mijë persona janë larguar pavarësisht kushteve të mjerueshme në Idomeni.

Reportazhin e plotë të përgatitur nga ekipi i KTV-së që qëndroi në Idomeni, mund ta ndiqni në videon më poshtë.

Exit mobile version