Asnjëherë më parë individi nuk ka qenë kaq shumë i ekspozuar ndaj të tjerëve. Sot, komunikimi me të tjerët, anekënd botës, është shumë i lehtë. Janë rrjetet sociale ato që na mundësojnë këtë, duke na bërë po ashtu të mundur që çdo aspekt i jetës tonë personale të jetë publik. Kuptohet, e gjithë kjo me dëshirën dhe vullnetin tonë të plotë.
Rrjetet sociale janë bërë pjesë e pashmangshme jetës së përditshme. Statistikat flasin për një përdorim jashtëzakonisht të madh të tyre, sidomos të Facebook-ut. Përdoruesit e tij janë të moshave të ndryshme, duke filluar prej fëmijëve e deri tek të moshuarit.
Sipas Agjencisë për Mbikëqyrjen e Tregut “Nielsen” në SHBA, 38 për qind e fëmijëve nën 12 vjeç kanë llogari të tyre në Facebook. Në Kosovë nuk ka akoma statistika të sakta, por as ne nuk qëndrojmë “më keq” se vendet e tjera sa i përket përdorimit të rrjeteve sociale, në veçanti të Facebook-ut.
Shumica prej nesh jemi bërë të obsesionuar me më të voglin detaj të jetës së një personi tjetër. E, nga ana tjetër, duke publikuar gjëra nga jeta e jonë personale në rrjete sociale, ne duam të dimë gjykimin e tyre për ne. Për më tepër, shpesh herë të marrim edhe miratimin e njerëzve me të cilët i ndajmë këto postime, qofshin ata familjar, shokë apo jo rrallë herë edhe njerëz krejt të panjohur.
Çdo ditë e më shumë rrjetet sociale po marrin kohën tonë. Ky revolucion teknologjik pranohet botërisht se ka ndikuar në stilin e të jetuarit të shumicës se përdoruesve të këtyre rrjeteve. E, ndikime të tilla janë kryesisht në aspektin psikologjik dhe social të individit, në veçanti tek moshat e reja.
Publikimet në rrjetet sociale na bëjnë të fitojmë vëmendjen e të tjerëve. Zakonisht, ne mundohemi të prezantojmë një jetë sa më interesante dhe atraktive, e gjithë kjo për të “shpërblyer” vëmendjen dhe miratimin e të tjerëve. Për shembull, jemi të fiksuar që të prezantojmë bashkëshortin (ose bashkëshorten) si shumë të dashur dhe të kujdesshëm. Në fakt, rrjetet sociale na mundësojnë të ‘’krijojmë veten’’ dhe të shndërrohemi në personin që duam të jemi dhe të bëhemi shumë më interesant sesa në fakt që jemi në jetën reale.
A prezantojmë në rrjetet sociale identitetin tonë të vërtetë? A jemi me të vërtetë po aq të lumtur sa prezantohemi aty? A janë njerëzit më të lirë në dhënien e informacioneve apo shkëmbimin e ideve, bindjeve apo qëndrimeve të tyre? A kemi ndonjëherë ndonjë ndjenje negative si mërzia, hidhërimi, apo brenga? Fatkeqësisht kemi shumë, por rrallë na ndodh t’i ndajmë me të tjerët në rrjetet sociale. Shpeshherë prezantimi ynë në rrjetet sociale duhet të jetë “shoqërisht i pranueshëm” dhe mundësisht sa më “atraktiv” për të tjerët.
Facebook-u, përveç ofrimit të mundësisë për krijimin e njohjeve të reja dhe miqësive po ashtu, u kthye në një platformë virtuale për shkëmbimin e mendimeve dhe përvojave në mes të njerëzve e sidomos në mes të të rinjve. Mundësia që një person të shkëmbej mendimet dhe idetë e tij me të tjerët në mbarë botën nëpërmjet rrjeteve sociale u bë një arsye me shumë për zgjerimin e këtyre rrjeteve në internet. Me këtë rast rrjetet sociale, në përgjithësi, u kthyen në pjesë të pandarë të jetës së shumë njerëzve duke lënë si ndikime pozitive ashtu edhe negative në jetën e tyre.
Rrjetet sociale, për të gjithë përdoruesit e sidomos për të rinjtë janë bërë mënyra më e lehtë për të komunikuar dhe mësuar për njëri-tjetrin, dhe ky fakt na bën të mendojmë për rolin e këtij fenomeni. Çdo ditë shohim se secili shok/shoqe që e kemi në Facebook duket se është duke kaluar kohë dhe momente të mrekullueshme. Shëtitje, romanca, marrëdhënie të mrekullueshme në qift, punë me pagesa të mira etj. Të gjitha këto postime në “muret” tona janë një imazh i jetës së vërtetë ose, në raste të caktuara nuk janë asgjë më shumë se një “film imagjinar” i asaj se si ne duam që njerëzit të na shohin. Imagjinoni sikur jeta virtuale në Facebook, të ishte reale?
Mund të konstatohet se Facebook-u i përmbush më së miri kërkesat e njerëzve që kanë nevojë të ndjehen pjesë e një grupi të caktuar shoqëror. Në fund të fundit, nëse shton në listën tënde të shkurtër apo të gjatë, një shok, një mik, një të afërm apo edhe një të panjohur, shumë pak ka rëndësi. Vetëm duke jetuar jetën tonë, duke u përqendruar në realitetin tonë të përditshëm dhe të injorojmë “cirkun” e mediave sociale, secili prej nesh do të jetë më i lumtur.