Site icon Telegrafi

Jeta pas koronavirusit

Nga: Michela Curcio
Përktheu: Leonora Buçinca

“Kur të mbarojë pandemia, nuk mund të përjashtohet që do të ketë nga ata që nuk do të duan të kthehen në jetën e tyre të mëparshme. Dikush, nëse e ka të mundur, do të lë një vend pune që për vite ia ka marrë frymën dhe e ka shtypur. Dikush do të vendosë ta braktisë familjen, t’i thotë lamtumirë bashkëshortit ose partnerit. Të lindë një fëmijë ose të mos e dojë një fëmijë. Do të ketë nga ata që do të fillojnë të besojnë në Zot dhe që do të ndalojnë së besuari në të”.

Për David Grossmanin, koronavirusi nuk do të thotë që nuk mund të na mësojë se si të jemi më njerëzorë. Shkrimtari i famshëm izraelit i besoi reflektimin e tij një letre të përkthyer nga Alessandra Shomroni, publikuar në gazetën e përditshme “La Repubblica”.

Ai nuk e zvogëlon situatën dhe e quan pandeminë Covid-19 “më të fortë se çdo armik të vërtetë me të cilin jemi përballur ose ndonjë superhero që kemi imagjinuar ose parë ndonjëherë në filma”. Grossman nuk beson se bota do të dalë e mundur nga kjo pandemi. “Ne jemi – shkruan autori i “Që ti për mua të jesh një thikë” – të sofistikuar, të kompjuterizuar, të pajisur me një mori armësh, të vaksinuar, të mbrojtur nga antibiotikët”.

Se koronavirusi është nënvlerësuar, megjithatë, është e pamohueshme.

Grossman vazhdon: “Nga ëndrra e keqe tek ëndrra e keqe janë njerëzit ata që kalojnë… ata menduan se gjithçka ishte akoma e mundur për ta, gjë që supozoi se storjet janë të pamundura. Vazhduan të bëjnë biznes, planifikuan udhëtime dhe kishin mendime. Si mund të kishin menduar për plagën që shtyp të ardhmen?”

Mes të dhënave dhe frikës nga mosmbijetimi i pandemisë, një dramë që Grossman e quan gati biblike është e skenuar në jetën tonë sot. “Një përqindje e caktuar e popullsisë – thotë shkrimtari – do të vdesë. Në Shtetet e Bashkuara flitet për një milion vdekje të mundshme. Vdekja është e prekshme”. Dhe përsëri: “Në fillim ata shpallën ‘ne anulojmë fluturimet’. Pastaj u mbyllën baret, teatrot, kopshtet, shkollat dhe universitetet. Njerëzimi fiki llambat në rrugën e tij njërën pas tjetrës”.

Sipas Grossmanit, megjithatë, kur kjo gjendje do të marrë fund, njerëzimi do të dalë më i mirë sepse është i vetëdijshëm për brishtësinë e tij dhe kalueshmërinë e jetës. Burrat dhe gratë do t’i vendosin përparësitë reja dhe do të mësojnë ta bëjnë dallimin më mirë midis asaj që është e rëndësishme dhe asaj që është e kotë. “Do të ketë – shpjegon ai – nga ata që për herë të parë do ta pyesin veten për zgjedhjet e bëra, për dorëheqjet, për kompromiset. Mbi dashuritë që nuk patën guxim t’i dashuronin. Mbi jetën që nuk patën guxim ta jetonin. Burra e gra do ta pyesin veten pse e humbin ekzisten-cën e tyre në marrëdhënien që u shkaktojnë atyre hidhërim. Ndoshta do të ketë nga ata që pyesin pse izraelitët dhe palestinezët kanë vazhduar të luftojnë për ta shkatërruar jetën e njëri-tjetrit për më shumë se një shekull, në një luftë që mund të ishte zgjidhur qëkur”.

Dhe përfundon: “Mund të ketë nga ata që, duke vëzhguar efektet e shtrembëruara të shoqërisë së mirëqenies, do të ndihen të përzier dhe të elektrizuar nga vetëdija banale, naive, se është e tmerrshme që ka njerëz shumë të pasur dhe shumë të tjerë shumë të varfër. Se është e tmerrshme që në një botë të pasur dhe të plotë jo të gjitha foshnjat kanë mundësi të njëjta. Dhe, mbase, edhe mjetet e informimit masiv, të pranishëm pothuajse tërësisht në jetën tonë dhe në kohën tonë, do ta pyesin veten me ndershmëri, se çfarë roli kanë luajtur në ngjalljen e ndjenjës së përgjithshme të neverisë që ndiejmë para epidemisë”. /Revista “Akademia”/

 

 

Exit mobile version