Nga: Marie Lasgush Poradeci
“Kujtime për prostitutat e mia të pikëlluara” (në origjinal: “Memoria de mis putas tristes”) është vepra e parë në prozë e Gabriel Garcia Marquez pas një pauze 10-vjeçare.
Në dhjetë vitet e fundit, Marquez nuk ka bërë jetën e një përtaci, përkundër lëngimit nga kanceri. Nobelisti i famshëm kolumbian ka shkruar: “Jeta nuk është ajo që ke jetuar, por ajo që të kujtohet dhe si e kujton atë për të rrëfyer për të”.
Përmbajtja e romanit ka të bëjë me ëndrrat e një plaku për dashurinë dhe dhembjen, për bilancin jetësor dhe për hidhësinë e përditshmërisë.
Një ditë plaku paralajmëron: “Në vitin kur të mbush 90 vjet, do të dëshiroja t’i dhuroja vetes një natë me dashuri të çmendur, me një vajzë, e cila do të ishte ende e virgjër”. Malli i zjarrtë i plakut bëhet realitet, një mikeshë ia gjen atij një virgjëreshë, me të cilën ai dashurohet çmendurisht. Por, nga ëndrra erotike s’del gjë, as nga nata e dëshiruar. Plaku kalon disa netv me vajzën e virgjër. Asgjë nuk ndodh. Përveç dashurisë platonike.
Ai e shikon Delgadinën (kështu quhet vajza) duke fjetur. Nuk e prek. Plakut i pëlqen ta shikojë vajzën ashtu, në gjumë. Këto çaste të qeta i shërbejnë plakut të mendojë për jetën e tij dhe përvojat erotike, të cilat nuk kanë qenë të varfëra. Për 90 vjet ai ka përfunduar në shtrat me gjithsej 514 prostituta, të cilat i ka paguar gjithmonë.
Romani është një lloj ditari, ku plaku, i cili para se të dilte në pension ka qenë mësues i gramatikës spanjolle dhe i latinishtes, ka mbajtur shënime për përjetimet e tij erotike me emrat e partnereve, kohën, vendin dhe rrethanat e veçanta. Ndërsa shikon vajzën duke fjetur, plaku arrin në përfundim se “seksi është vetëm ngushëllim kur nuk të përqafon dashuria”.