Site icon Telegrafi

Jeta në ankth e familjes Kastrati, çdo ditë të rrezikuar nga katastrofa

Sahit Kastrati nga fshati Balincë i Komunës së Malishevës thotë se ai dhe familja e tij po jetojnë në ankth nga shpejtësia e veturave, kjo pasi shtëpia e tyre gjendet buzë magjistrales Prishtinë-Pejë. E si pasojë e kësaj, Kastrati thotë se ka bërë kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për shpronësim. Mirëpo, sipas Kastratit, lënda e tij po neglizhohet tash e tri vite.

Jeta në këtë shtëpi afër magjistrales Prishtinë-Pejë, është kthyer në një ankth për Sahit Kastratin dhe familjen e tij nga fshati Balincë e Komunës së Malishevës.

Kjo sipas tij, për shkak të rrezikut që vie nga veturat të cilat qarkullojnë me shpejtësi të madhe, e që qoi deri në kërkesë për shpronësim.

“Shpejtësia e lëvizjes së makinave në këtë vend është marramendëse. Ne si familje jetojmë në një ankth të paparë, pasi një makinë mund ta devijojë rrugën dhe të futet në shtëpinë time komplet e që do të ishte katastrofale për ne…Nuk ka ditë që gurëzit që shpërndahen nga gomat e makinave të mos përplasen me xhamat e dritareve të shtëpisë sime”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Sahit Kastrati.

Mirëpo, edhe pse kanë kaluar tri vite qysh prej kërkesës së tij, Kastrati thotë se Ministritë nëpër të cilat ka kaluar ajo, po e neglizhojnë rastin, përcjell Telegrafi.

“Më kanë thënë se duhet tre anëtarë të qeverisë të bëhen bashkë për shpronësim. Ende nuk kam ndonjë përgjigje as për shpronësim as për kundër shpronësim”, shtoi më tej Sahit Kastrati.

Ndërsa nga Ministria e Infrastrukturës kanë bërë të ditur se si ministri kanë proceduar me rastin dhe se tashmë këtë shqetësim të familjes Kastrati, e ka në dorë zyra e Kryeministrit.

“Me përgjegjësi të plotë ju deklarojmë se sa i përket Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, aplikuesit iu kanë përmbushur të gjitha obligimet që i takojnë MIT dhe lënda është dërguar në Qeveri nga ana e MMPH-Departameni i Shpronësimit për nënshkrim nga ana e Kryeministrit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

Ditë më parë, jo larg kësaj shtëpie ka ndodhur një aksident, i cili për fat të keq përfundoi me fatalitet. E Kastrati thotë se ky rast është një arsye më shumë që kërkesa e tij të trajtohet me seriozitet./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version