Site icon Telegrafi

Jeta misterioze e gruas së Kim Jong-unit

Pak detaje dihen për Ri Sol-ju, gruan që në vitin 2012 u identifikua si bashkëshortja e diktatorit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Zonja Ri mendohet të jetë tani 28 vjeçe dhe nënë e tre fëmijëve, sipas raporteve të inteligjencës së Koresë së Jugut. Megjithatë, qeveria e fshehtë e mbretërisë së vetmisë nuk e ka konfirmuar këtë informacion.

Zonja Ri nuk shfaqet shumë shpesh në publik. Ajo zakonisht shihet kur Kimi feston testimet e raketave, dhe gjithmonë fotografohet duke buzëqeshur me edukatë, me rroba të kushtueshme dhe me ngjyra të hapura.

Zonja Ri thuhet se ka lindur në një familje elite. Babai i saj ishte profesor dhe nëna mjeke, por pak gjëra të tjera dihen për jetën e saj, apo se si ajo u bë gruaja e diktatorit më të njohur në botë sot.

Është e paqartë saktësisht se kur janë martuar Kim dhe Ri. Disa kanë raportuar se martesa ndodhi në vitin 2009 dhe se Ri lindi një fëmijë një vit më vonë, ndërsa të tjerë kanë thënë se çifti është takuar gjatë një koncerti me muzikë klasike, në vitin 2010.

Fshehtësia rreth dasmës së tyre nuk ishte befasi për koreanoveriorët dhe vëzhguesit ndërkombëtarë. Babai i Kimit nuk ia prezantoi fare publikut shumë prej grave të tij.

Pak dihet për jetën që zonja Ri kishte bërë, para se të martohej me Kim Jong-unin, por raportet e inteligjencës së Koresë së Jugut kanë thënë se ajo ka studiuar dikur për kanto në Kinë dhe se e ka vizituar Korenë e Jugut në vitin 2005, si pjesëtare e skuadrës së nxitëseve të tifozëve të Koresë së Veriut.

Zonja Ri është e njohur për shijet e saj në modën perëndimore. Ajo është pikasur me çanta të shtrenjta nga dizajnerë si Dior dhe Chanel. Dëshira për mallra luksoze ka tërhequr kritikat ndërkombëtare, sepse qytetarët në Korenë e Veriut kanë luftuar për vite me radhë urinë, thatësirën dhe varfërinë e përhapur.

Në fillim të këtij viti, Ri u zhduk nga sytë e publikut për disa muaj, duke nxitur spekulime mbi gjendjen e saj. Në gusht, shërbimi i fshehtë i Koresë së Jugut njoftoi se ajo kishte lindur një fëmijë dhe kishte dalë nga sytë e publikut, për shkak të shtatzënisë.

Besohet se çifti tani ka tre fëmijë, ndonëse informacioni më i detajuar vjen nga ish-ylli i NBA-së, Dennis Rodman, i njohur për miqësinë e tij të debatuar me Kimin dhe udhëtimet e shpeshta në Korenë e Veriut. Rodman tha se ai kishte takuar fëmijën e dytë të çiftit në vitin 2013, një vajzë e vogël me emrin Ju-ae.

“Unë mbajta në krahë vogëlushen e tyre, Ju-ae dhe fola edhe me zonjën Ri. Kimi është një baba i mirë dhe ka një familje të bukur”, tha Rodman për “The Guardian”.

Media në Korenë e Jugut ka spekuluar se Ri mund të jetë detyruar të lindë një fëmijë të tretë, me shpresën që mund të jetë një djalë i cili do të trashëgonte diktaturën e Kimit, duke supozuar që të dy fëmijët e mëparshëm të çiftit kanë qenë vajza. /The Guardian/Bota.al/

Exit mobile version