Gal Gadot është një aktore dhe modele izraelite e njohur më së shumti për portretizimin e Gisele Yashar në filmat “The Fast and the Furious”.
Në moshën 18 vjeçare, Gadot u shpall ‘Miss Izraeli 2004’ dhe po të njëjtin vit mori pjesë në garën e bukurisë ‘Miss Universe 2004’ që u mbajt në Ekuador.
Pas garave të bukurisë, ajo iu bashkua Armatës izraelite, ku si qytetare e Izraelit kreu detyrimin ushtarak prej dy vitesh. Në këtë periudhë ajo ka qenë edhe trajnuese e forcave të armatosura.
Pasi u largua nga ushtria, bukuroshja e studioi drejtësinë. Gjatë studimeve mori pjesë në audicionin për rolin e femrës së James Bondit, “Quantum of Solace”, mirëpo rolin e fitoi Olga Kurylenko. I njëjti regjisor, Justin Lin, e ftoi që të luante rolin e Gisele Yashar në filmat “Fast & Furious”.
“Mendoj se arsyeja kryesore ishte që Justin Lin e pëlqente faktin që kisha qenë në ushtri dhe ai dëshironte ta shfrytëzojë njohurinë time mbi armët”, ka deklaruar Gadot, e cila në filmat “Fast & Furious” i ka bërë vet edhe skenat e rrezikshme.
Në vitin 2008, aktorja u martua me biznesmenin, Yaron Varsano, me të cilin posedonin një hotel luksoz në qarkun Neve Tzedek të Tel Avivit. Në vitin 2015, këtë restorant ia shitën pronarit të Chelseat, Roman Abramovich, për 26 milionë dollarë.
Talentet e saja nuk kanë të ndalur. Ajo është edhe një garuese me motoçikleta dhe pronëson një Ducati Monster-S2R.
Njëherësh, karriera e saj si modele ka qenë mjaft e suksesshme. Ajo ka reklamuar për brende, si Captain Morgan, Gucci, Vine Vera e Jaguar. I ka zbukuruar ballinat e revistave kryesore, si Cosmopolitan, Glamour, Bride Magazine, Entertainment Weekly, UMM, Cleo, Fashion, Lucire, FHM. Gadot përfiton rreth 2.4 milionë dollarë në vit nga angazhimet e saja si modele.
Filmat kryesorë ku ka luajtur deri më tani Gal Gadot janë: “Fast & Furious”, “Knight and Day”, “Fast Five”, “Fast & Furious 6”, “Furious 7”, “Triple 9”, “Batman v Superman: Dawn of Justice”, “Criminal” dhe “Wonder Woman”. /Telegrafi/