Site icon Telegrafi

Jeta jonë është Halloween!

Dikur na thoshin se jeta jonë është pranverë dhe ne e besonim këtë, gëzoheshim dhe visheshim me rroba të lehta, dhe, kuptohet… mërdhinim. Nuk kishim me kë të krahasoheshim, se jetonim në karantinë. Udhëtonin ata që edhe ashtu e kishin jetën pranverë, me të vërtetë, kështu që dallimin nuk e vërenin shumë. Kënaqeshim dhe këtë e bënim në emër të idealeve të larta, sublime, por kishim edhe motive të tjera civile, e sidomos e kishim të rëndësishme me e plasë armikun e brendshëm dhe të jashtëm. Jeta jonë funksiononte me armiq, prandaj ata ishin të këqijtë, andej ishte dimër e këndej verë. Ups, pranverë!

Tash, armiku i jashtëm – falë Zotit edhe NATO-s – ka ikur, kështu që kemi mbetur të vetëm, vetëm me përfaqësuesit kryesor të planetit, të cilët dorën në zemër nuk janë armiq, por janë miq të mrekullueshëm – edhe pse po na qesin kushte për me na pranu në Parajsë, pra në radhët e veta. Nejse, sa për të qetësuar kujdestarët në rrjetet sociale, nuk është se edhe ne nuk ia dhamë ca shkopinj shpinës armikut, sidomos kur po ikte, por punën e madhe dhe përfundimtare do të pajtoheni se e kreu Aleanca.

Tash, hëpërhë, jemi në një karantinë të llojit politik, derisa të shërohemi nga e kaluara, derisa të shërohemi pak edhe nga identiteti. Ashtu qysh ishim, dhe qysh jemi, vështirë me na pranua në gjirin e vet të ngrohtë. Sidomos problematike janë bërë festat. Festat tona me bakllava dhe me mish dashi po ngjallin frikë, po duken primitive me sheshet e mbushura me ngjyra aziatike.

Pra, të ndodhur në udhëkryq, ku përplasen kulturat, adetet, interesat dhe duke marrë nga të gjithë nga pak, nga frika se nuk jemi “in”, e kemi bërë jetën tonë më të rëndësishme, festë shtrigash, Halloween. Duke qenë se festat në kalendarin tonë – ditët e (mos)punës – janë aq shumë dhe shënohen me të kuqe si festa, nuk do të prishte shumë punë që zyrtarisht të shtohej edhe kjo. Përkundrazi, do të kompletohej lista. Pra, angazhohem që Halloween të jetë festë zyrtare dhe nëse dikush ka vërejtje se po bëhen shumë, propozoj të hiqet njëri Bajram dhe 28 Nëntori, sepse edhe ashtu po bëjnë vërejtje shoqatat për mbrojtjen e shtazëve (për Kurban Bajram) dhe kjo e dyta, kur kemi përfaqësuesen kosovare në futboll, po shihet e panevojshme nga disa pjesëtarë të shoqërisë civile.

Pra, të futet edhe Halloween në listën e festave zyrtare. Ne gjithqysh do të mbështesim fëmijët me kunguj, qirinj, apo edhe me rroba me grila, apo çanta me para nëse vendosin të maskohen si politikanë kosovarë. Duhet me u përshtatë me kohën. Përndryshe, te ne përshtaten të gjithë dhe këtë nuk e bën veç politika, por edhe populli. Edhe qytetarët e zakonshëm që nuk marrin vesh nga politika, kur i kap në flagrancë ndonjë ekip gazetarësh që shëtit sheshit ashtu tinëzisht nëpër shesh, për të kapur dromca (neo)identitare, me kamerën dhe mikrofonin e tyre ata flasin si politikanë, sepse kanë frikë se mendimet e tyre të lira mund të dëmtojnë “çështjen” e madhe.

Qysh e dini, tash gjithçka vlerësohet me anketa. Dihet se politikanët ia fusin kot, por qytetarëve u besohet. Nëse ndonjë qytetar deklarohet kundër, bëhet kiameti. Prandaj, qytetarët gjithnjë kujdesen që të jenë të përshtatshëm moralo-politikisht. Veç pozitiv. Më mirë HIV pozitiv sesa negativ, si pat thënë njëherë një qytetar i intervistuar. Kështu edhe në paradën e fundit kishte aq entuziazëm. Duhet me qenë “In” ! Je apo nuk je, kjo është çështja! Pastaj, ku e di se kush mund të jetë maskuar si gazetarë?

Duke pasë parasysh marrëdhënien e dashurisë publike në mes politikës dhe gazetarëve, shumë mendojnë se mund të maskohen edhe si gazetarë për Halloween. Dashuria edhe kollitja nuk fshihen, do të thoshte dikush. Mendoni se të jesh gazetar ndër ne nuk është e frikshme?

Pra, ishte pranverë përherë, jeta jonë, e tash po na thonë se jeta është Halloween dhe ne të gjithë pra, për t’u përshtatur, po sillemi si politikanë, gazetarë, mjekë, mësues dhe të gjitha profesionet e frikshme të kohës sonë. A nuk janë të frikshme? Nuk po mendoj vetëm te faturat apo radhët e gjata, as për shëndetin i cili rrënohet nga barnat e falsifikuara, apo ndërhyrjet kirurgjike.

OK, e di se do të pajtoheni për gazetarët, apo mjekët si profesione të frikshme, por për mësuesit nuk do të pajtoheni. Prisni derisa të shihni çantën e çunit tim. Nuk do të kërkoni më shumë fakte për të futur edhe ministrin e Arsimit (pa menduar në asnjërin konkretisht) në listën e maskave të përshtatshme për Halloween.

Kështu, derisa pranvera vjen çdo vjet, në zonën tonë, kushtëzuar nga rrethana gjeografike, pranvera politike, e cila varet nga rrethana gjeopolitike, ende nuk ka ardhur ndër ne, ndërkohë që për të qenë të sigurt se nuk mund të gabojmë, me festat e tjera, Halloween është bërë festa numër një.

Ndërkohë, në SHBA dhe vende tjera, ajo është festa e dytë më e rëndësishme, thonë mediat. Është biznes me miliarda dollarë në SHBA, kështu që renditet menjëherë pas Krishtlindjeve. Këtu te ne nuk janë llogaritur fitimet, sepse tagrambledhësit nuk janë aq të zellshëm, kështu që nuk dihet kush sa fiton. Por, në prag të festës ka punë sidomos rreth shkollave, ku zhvillohet ky biznes.

Për fund, edhe pak të dhëna: amerikanët dhe shumëkush në botë e feston me 31 tetor, ndërkohë që ne nuk mjaftohemi me kaq! Pak është! Atje të gjithë, sidomos fëmijët, maskohen me figura të frikshme, ndërkohë që te ne, duke marrë parasysh rrethanat, nuk ka nevojë për maska se kjo festë jetohet. Pastaj, askund nuk festohet aq natyrshëm. Shtrigat nuk vijnë këtu mbi fshesat e tyre, sepse nëpër oborre dhe ara kemi vënë kukulla të frikshme me pamje politikanësh.

Exit mobile version