Futbollisti i njohur brazilian, Dani Alves, aktualisht po kalon periudhën më të keqe të jetës së tij pasi ka tre muaj që ndodhet në burg për akuzat e përdhunimit, ndërsa lajmet e këqija për të nuk kanë fund.
Bashkëshortja e tij, Joana Sanz, është duke i grumbulluar dokumentet dhe dëshiron të shkurorëzohet sa më shpejt nga ai.
Duke iu referuar emisionit të Telecinco, ‘Fiesta’, Marca raporton se ajo është dëbuar nga prona e Alves, gjegjësisht nga shtëpia të cilën e ndante me futbollistin e famshëm prej vitesh.
Dinora Santana, nëna e fëmijëve të brazilianit, thuhet se ka qenë personi që e ka njoftuar Joanan se duhej ta lëshonte shtëpinë e tij.
Përkatësisht, Sanz nuk ka dashur të nënshkruajë një deklaratë konfidencialiteti dhe paanshmërie dhe për këtë arsye nuk ka mundur të qëndrojë në pronën që e konsideronte si shtëpi për një kohë të gjatë. Ajo i paketoi shpejt gjërat dhe u largua nga shtëpia.
Kohë më parë, emisioni televiziv spanjoll ‘Y Ahora Sonsoles‘ zbuloi letrën emocionuese që 39-vjeçari i shkroi gruas së tij. Në këtë letër, mes tjerash, ai ka prekur edhe një herë krimin për të cilin akuzohet dhe të cilin e refuzon me përbuzje.
Ndërkohë, Sanz i ka hequr të gjitha fotografitë e përbashkëta nga Instagrami, ndërsa profili i Alves është i mbushur me fotografi me bashkëshorten.
Së shpejti pritet të merret vendimin dhe nëse duhet t’u besohet burimeve të mirinformuara, nuk ka gjasa që Alves ta provojë pafajësinë e tij në këtë rast. /Telegrafi/